Ideja e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, për një president shqiptar është e pranueshme edhe për kreun e LSDM-së, njëkohësisht kryeministër Zoran Zaev.
Sqaron se presidenti zgjidhet në zgjedhjet të drejtpërdrejta, rrjedhimisht kjo nuk mund të dakordohet mes partive politike, prandaj, sipas tij për këtë duhet një maturi politike e elektoratit që mbi përkatësinë etnike të vendos vlerat dhe cilësitë e kandidatit për president.
Megjithatë konsideron shpalosja e idesë dhe synimit në opinion nga ana e kreut të BDI-së, mund të ndihmojë në përgatitjen e shoqërisë për një gjë të tillë.
“Do kisha dashur ta mbërri atë moment, që do të nënkuptonte afirmim të personalitetit, të qytetarit para së gjithash. Dhe, si i tillë, pavarësisht përkatësisë politike të pranohet te qytetarët. Kjo është një ambicie e mirë për të aluduar edhe te trupi votues maqedonas, përkatësisht trupi votues joshqiptar, pasi u dëshmua se BDI fiton shumicën e votave nga trupi votues shqiptar, por për një ambicie të tillë duhet edhe shumica e votave të trupit votues joshqiptar, në këtë vendin tonë multietnik.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Një ditë më parë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se zgjedhja e një presidenti shqiptar është barrikada e radhës që duhet thyer, pas arritjes së qëllimit për kryetar Kuvendi dh marrëveshjen për kryeministër shqiptar.
Ky i fundit, konform marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës, do të duhet të merr timonin e ekzekutivit në 100 ditët e fundit të mandatit të kësaj qeverie.
Ndërkaq, synimi për president shqiptar, është shpalosur edhe më herët nga kreu i BDI-së, dhe kjo mund të realizohet lehtësisht nëse arrihet konsensus i gjerë politik për ndryshimin e kushtetutës, që presidenti i cili aktualisht zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta, të zgjidhet në Kuvendin e Republikës.