Iniciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” sot ka publikuar kërkesat e tyre në lidhje me përmirësimin e kushteve dhe funksionimin normal të qendrës turistike “Kodra e Diellit”, të cilën, siç thonë ata, edhe këtë sezon e ka gjetur pa investimet e premtuara dhe pa kujdesin e duhur.
Këto kërkesa, thonë nga iniciativa qytetare, janë në shërbim të kushteve dhe funksionimit normal të “Kodrës së Diellit”, thanë sot në konferencë për shtyp nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
Kërkesat e tyre janë:
Takim urgjent me kryeministrin Zoran Zaev dhe me pjesëtarët tjerë të kabinetit qeveritar që janë të ngarkuar me punë në zhvillimin e turizmit dimëror dhe malor. Këtë takim kërkojmë ta zhvillojmë në Kodrën e Diellit, më së voni deri të shtunën (12 janar 2019, në orën 11). Do i sugjerojmë kryeministrit Zaev që vizitën në Kodrën e Diellit ta zhvillojë si çdo qytetar tjetër, për të parë nga afër vështirësitë reale me të cilat përballen vizitorët e kësaj qendre turistike.
Qeveria të analizojë në detaje termat dhe kushtet e kontratave me realizuesin e ski-liftit me 6 ulëse, dhe të ndërmarrë masa përkatëse dhe sanksione sipas ligjit ndaj vonesave në realizim nga ana e kontraktorit.
Kërkojmë nga Qeveria që të formojë komision për të mbikëqyrur rrjedhën e punëve në Kodrën e Diellit, me përfshirje të përfaqësuesve nga Qeveria, shoqëria civile, ekspertët të sporteve dimërore dhe njohës të mirë të problematikës së Kodrës së Diellit.
T’i kushtohet vëmendje e menjëhershme nevojave më urgjente për ta tejkaluar krizën që përsëritet çdo vit në Kodrën e Diellit, duke bërë (1) pastrimin e vendparkimeve nga bora; (2) funksionimi i rregullt i ski-liftave; (3) të garantohet rendi dhe siguria; (4) të sigurohet funksionimi 24 orësh i ambulancës në Kodrën e Diellit.
Kërkojmë angazhim më të madh edhe nga Agjencia për Zhvillimin e Turizmit, Agjencia për Rini dhe Sport dhe nga Federata e Skijimit në ushtrimin e një pasioni më të madh ndaj autoriteteve përgjegjëse për dështimet me funksionimin normal të Kodrës së Diellit.
Kërkojmë nga SH.A. ELEM që përfundimisht të heq dorë nga bllokada që i bën resortit turistik Kodra e Diellit.
Nga iniciativa qytetare thonë se nëse autoritetet e thirrura nuk reagojnë siç duhet ndaj këtyre kërkesave, ata do të përballen me protesta dhe bllokada serioze në vendin e njëjtë më 12 janar të vitit 12, ora 11:00.
Ndryshe, kërkesat për problemet aktuale në Kodrën e Diellit janë përpiluar nga kjo iniciativë pasi që mbrëmë janë takuar me OJQ-të dhe qytetarët dhe kanë diskutuar për këtë çështje