Tabanoc, nga 1 gushti vetëm një ndalesë për udhëtarët dhe transportuesit

Këtë verë fillon zbatimi i zhdoganimit të përbashkët mes Maqedonisë dhe Serbisë. Kjo marrëveshjes e nënshkruar mes dy vendeve pritet ta lehtësojë kalimin e kufirit si për udhëtarët ashtu edhe për transportuesit. Kjo praktikë duhet të fillojë më 1 gusht.

Marketing

Koncepti i kontrolleve të përbashkëta kufitare (One-stop shop) nënkupton procedura më të lehta, që kryhen në një vendkalim të përbashkët kufitar, me numër minimal të ndalimeve, ku kontrollimi i udhëtarëve, mallrave bëhet vetëm në një vend. Me vënien në zbatim të këtij konceptit për kontroll të përbashkët arrihet një harmonizim më i madh dhe lehtësohet kalimi i udhëtarëve, mallrave dhe mjeteve transportuese në komunikacionin rrugor, si dhe sendet që udhëtarët i kanë me vete.

Për udhëtarët dhe transportuesit të cilët nga Serbia shkojnë drejt Maqedonisë së Veriut, kontrollin do ta kryejë Serbia në territorin e Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Tabanoc, ndërsa kontrollimin e atyre që udhëtojnë nga Maqedonia e Veriut drejt Serbisë do ta kryejnë shërbimet kufitare nga Maqedonia e Veriut në vendkalimin kufitar në Preshevë.

Në kontrollet kufitare kryesisht janë të përfshira organet që janë përgjegjëse për kontroll të lëvizjes së personave, mallrave dhe mjeteve transportuese, si dhe zbatimet e formaliteteve doganore. Herë pas herë, sipas nevojës, përfshihen edhe organe të tjera kompetente për zbatimin e rregullave të tjera ligjore me interes reciprok dhe vlejnë për shtetin dhe qytetarët, siç janë në fushën e shëndetësisë publike.

Sipas autoriteteve kompetente zbatimi i këtij koncepti parasheh një objekt të përbashkët në vendkalim ku kryhen formalitetet kufitare.
“Mbi bazën e përvojave ekzistuese që zbatohen në botë, si dhe praktika që ekziston për këtë lloj të kontrollit, përveç asaj që shpejtojnë dhe lehtësojnë kalimin e personave dhe mallrave, ka ndikim pozitiv në uljen e shpenzimeve për kalim të kufirit”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

Zhdoganimi i përbashkët është edhe një nga kërkesat e transportuesve, të cilët besojnë se kjo do të lehtësojë procesin e transportit dhe të transportit të mallrave.
Kontroll të përbashkët krahas vendkalimit kufitar në Tabanoc, pritet të ketë edhe në kalimin hekurudhor Tabanoc me Serbinë dhe në Qafëthanë me Shqipërinë.

Kontrolli i përbashkët në trafikun hekurudhor parashikon ndalimin e vetëm të trenave për kryerjen e formaliteteve kufitare, të cilat do të ndikojnë në përshpejtimin e trafikut hekurudhor, duke shkurtuar kohën e mbajtjes së trenave në pikat kufitare dhe duke ofruar përfitime ekonomike dhe kursime për operatorët ekonomikë.

Doganimi i përbashkët me Shqipërinë do të bëhet në Qafëthanë, ku po bëhen punime për të përmirësuar objektet.