Takim Besimi – Holstein – Reme – banka KfW vazhdon me përkrahjen e vazhdueshme të RMV-së

Në vend janë duke u realizuar projekte në vlerë mbi 150 milionë euro me përkrahjen e bankës KfW. Dinamika e realizimit të tyre dhe bashkëpunimi në të ardhmen në projekte të reja ishin temë e takimit të sotëm të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, me ambasadoren e RF të Gjermanisë në vend Anke Holstein dhe drejtorin e ri të zyrës së Bankës KfV në RMV dhe Kosovë.

Marketing

Banka KfW është pjesë e grupit KfW Bankengruppe, që është përgjegjëse për bashkëpunimin financiar me vendet në zhvillim. Banka KfW, me përkrahjen e Ambasadës Gjermane në vend, realizon bashkëpunim financiar në kuadër të bashkëpunimit dypalësh zhvillimor me RF e Gjermanisë. Banka KfW, siguron kapital afatgjatë dhe inkurajon investimet në infrastrukturë, sistemet financiare dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Misioni i saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut është promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm, përkrahja e procesit të tranzicionit si dhe përkrahja e anëtarësimit në BE.

Në këtë takim, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ka shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen e vazhdueshme që merr vendin nga RF e Gjermanisë dhe banka KfW në periudhën e kaluar dhe pret që kjo përkrahje të vazhdojë edhe me ritëm më të madh nga ana e menaxhmentit të ri të kësaj banke. Bëhet fjalë për programin e ujitjes në Maqedoninë e Veriut në vlerë prej 80 milionë eurove, fazën e dytë të parkut të turbinave me erë në Bogdancë, me përkrahjen e bankës KfW në vlerë prej 18 milionë eurove, realizimin e ngrohtores së Manastirit në vlerë prej 39 milionë eurove nga banka KfW, si dhe rikonstruimin e konvikteve studentore në vlerë prej 20 milionë eurove.

“Kjo paraqet përkrahje të konsiderueshme, që RMV-ja merr nga banka KfW, ndërsa është veçanërisht e rëndësishme në këtë moment përkrahja në sektorin e energjetikës për rritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike dhe vendosjen e ngrohtores së Manastirit”, theksoi ministri Besimi.

Nga banka KfW kanë shprehur interes për bashkëpunim në disa projekte, si Parku i turbinave me erë në Bogdancë, vendosja e centraleve fotovoltaike në TC Manastir dhe ngrohtores solare Manastir, si dhe realizimi i fazes së tretë të rehabilitimit të gjashtë HEC-ve të mëdha.

Në takim u theksua se realizimi i investimeve kapitale është një nga prioritet e Qeverisë. Këtë vit me rishikimin, edhe pse në krizë, kemi parashikuar nivel rekord të investimeve kapitale prej 520 milionë eurove. Këto janë mjete që do të nënkuptojnë përkrahje për kompanitë që do të përfshihen në realizimin e tyre, kurse realizimi afatgjatë i tyre do të thotë kontribut në rritjen ekonomike, konkurrencë më të mirë ekonomike, bashkëpunim më të mirë rajonal përmes infrastrukturës më të mirë. E gjitha kjo, nënkupton rritje të qëndrueshme ekonomike afatgjate.

Republika Federale e Gjermanisë është përkrahësi dhe partneriteti ynë kryesor në rrugën e eurointegrimeve dhe zhvillimit të shoqërisë. Ajo është edhe partneri ynë më i rëndësishëm tregtar. Qeveria gjermane deri më tani në vend ka investuar 500 milionë euro.

Marketing