Takim Gashi – Forslund në Samitin e Rigës

Në kuadër të Samitit të Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë në Rigë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi realizoi takim bilateral me nënkryetarin e Parlamentit Suedez, z. Kenet Forslund. Kryetari Gashi falënderoi për mbështetjen e qëllimit tonë strategjik – anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe në këtë kontekst shprehu mirënjohjen e tij për Mbretërinë e Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë përmes projekteve të shumta zhvillimore në shumë sfera.

Marketing

Nënkryetari Forslund e përshëndeti themelimin e Grupit të Bashkëpunimit si ekuivalent i Grupit të Parlamentit Suedez, veçanërisht vazhdimin e bashkëpunimit për zhvillimin demokratik ndërmjet dy parlamenteve dhe u shpreh i bindur se të dy grupet e bashkëpunimit do të jenë bazë e mirë për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëmbimeve parlamentare në të gjitha nivelet.

Bashkëbiseduesit iu referuan edhe Rregullores së re të Kuvendit dhe u pajtuan se Kuvendi është shtyllë e shoqërisë demokratike dhe faktor vendimtar në procesin e anëtarësimit, prandaj është thelbësore të vazhdohet me zbatimin intensiv të të gjitha aktiviteteve për evropianizimin e vendit dhe afrimin e tij drejt Bashkimit Evropian.