Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në shoqërim të deputetit Enes Ibrahim, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kazakistanit, sot realizoi takim me Dariga Nazarbaeva, Kryetare e Senatit të Parlamentit të Republikës së Kazakistanit.
Në takim u bë fjalë për rolin e diplomacisë parlamentare dhe nevojën për rritjen e rolit të parlamenteve në punët e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Xhaferi dhe Nazarbaeva u pajtuan se ekzistojnë mundësi të shumta për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, si në nivelin bilateral, ndërmjet kryetarëve, komisioneve dhe grupeve parlamentare të bashkëpunimit, ashtu edhe në kuadër të forumeve multilaterale.
Kryetarja Dariga Nazarbaeva informoi se në Senatin e Republikës së Kazakistanit është formuar Grupi për bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, а shprehu edhe kënaqësi për përparimin që vendi e arriti në aspiratat për anëtarësim në BE dhe në procesin e integrimit në NATO. Ajo u zotua për përforcimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Kazakistanit dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e ekonomisë, kulturës dhe turizmit.
Kryetari Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në zbatimin e reformave efikase në funksion të prioriteteve strategjike për anëtarësim në BE dhe NATO, ndërsa në periudhën e kaluar i avancoi edhe marrëdhëniet me fqinjët. Duke nënvizuar se me Marrëveshjen e Prespës me Republikën e Greqisë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë, vendi i tejkaloi pengesat në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, Xhaferi informoi për pritjet për marrjen e datës për fillimin e negociatave për aderim në BE dhe për dinamikën e procesit të ratifikimit të Protokollit aderues për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO.
Ai theksoi se, Kuvendi i Republikës ës Maqedonisë së Veriut është institucion demokratik funksional, në të cilin zhvillohet dialog politik aktiv dhe intensiv ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe opozitës, për çka edhe u pranua vërtetim në Raportin e fundit të BE-së për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Bashkëbiseduesit këmbyen përvoja në lidhje me barazinë gjinore në parlamentet dhe u zotuan për pjesëmarrje më të madhe të grave në politikë. Nazarbaeva drejtoi urime që në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, 42% të deputetëve janë gra, duke theksuar se shumica e parlamenteve në botë duhet të ndjekin këtë shembull pozitiv.
Kryetarët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Senatit të Parlamentit të Republikës së Kazakistanit u pajtuan se, vendosja e regjimit pa viza për qytetarët e dy vendeve duhet të finalizohet sa më shpejtë, në interes të avancimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Në kuadër të vizitës, Kryetari Talat Xhaferi e vizitoi Qendrën Ndërkombëtare Financiare Astana dhe mbajti ligjëratë në Fakultetin Juridik të Universitetit KAZGUU, në temën: „Diplomacia parlamentare – shembulli i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Në ligjëratën e organizuar nga Klubi Akademik Diplomatik, përveç studentëve dhe profesorëve të Fakultetit Juridik, ishin të pranishëm edhe ambasadorë dhe diplomatë.