Takim i Kryetarit Xhaferri me kryetarin e Mazhilisit Nigmatulin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, i shoqëruar nga deputeti Enes Ibrahim, më 25 dhe 26 shtator të vitit 2019 qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Kazakistanit, me ftesë të Nurlan Nigmatulin, kryetar i Mazhilisit (Dhoma e Ulët) e Parlamentit të Republikës së Kazakistanit.

Marketing

Në takimin me mikpritësin Nurlan Nigmatulin, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Mbrojtje dhe Siguri në Mazhilis Murar Erman, kryetari i Grupit për Bashkëpunim Ndërparlamentar “Kazakistan – Maqedonia e Veriut”, Darhan Minbaj, përfaqësuesit e tre partive politike të përfaqësuara në Mazhilis: Bahidzhan Jertaev i Partisë Popullore Demokratike “Nur Otan”, Azat Peruashev i Partisë Demokratike të Kazakistanit “Ak Zhol” dhe Ajkan Konurov i “Komunistëve Popullorë”, si edhe zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Roman Vasilenko.

Kryetari i Mazhilisit shprehu kënaqësi për realizimin e vizitës së parë zyrtare të një kryetari të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kazakistanit, dhe vlerësoi se ndërmjet dy vendeve është vendosur bashkëpunim i mirë bilateral, me mundësi të shumta për zgjerim dhe thellim të mëtutjeshëm. Duke theksuar se Maqedonia e Veriut është partner i rëndësishëm i Kazakistanit, Nigmatulin u zotua për avancimin e marrëdhënieve ekonomike përmes formave të reja të bashkëpunimit, me qëllim të rritjes së këmbimit tregtar. Ai i ftoi sipërmarrësit dhe investitorët nga Maqedonia e Veriut të inkuadrohen në tregun e Kazakistanit, duke i marrë parasysh volitshmëritë që i ofron i njëjti, para së gjithash në teknologjinë e lartë dhe industrinë e përpunimit për produkte bujqësore. Njëkohësisht, ai dha mbështetje për proceset reformuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kryetari Nigmatulin informoi për aktivitetet e legjislaturës aktuale, të gjashtë me radhë të Mazhilisit, me ç’rast theksoi se Parlamenti i Kazakistanit i përforcon pozitat e veta ndërkombëtare, për çka është provë edhe Takimi i katërt i kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Euroazisë me temën: “Euroazia e madhe: Dialog. Besim. Partneritet”, që u mbajt më 23 dhe 24 shtator të vitit 2019 në Nur – Sultan.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, drejtoi urime për organizimin e suksesshëm të Takimit të katërt të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Euroazisë, duke theksuar se ai i kushton vëmendje të madhe diplomacisë parlamentare, si mjet për thellimin e dialogut parlamentar dhe për intensifikimin e kontakteve ndërmjet parlamentarëve të vendeve të ndryshme. Xhaferi nënvizoi se, qëndrimet e Maqedonisë së Veriut dhe të Kazakistanit në lidhje me çështjet kryesore në agjendën ndërkombëtare janë shumë të afërta, ndërsa vendi ynë i mbështet nismat e Kazakistanit në organizatat ndërkombëtare, sidomos në kuadër të KB dhe OSBE-së. Tre marrëveshjet bilaterale në fushën e tatimeve, mbrojtja nga evazioni fiskal dhe nxitja e investimeve, sipas Xhaferit janë bazë për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, e cila bazë duhet edhe më tej të thellohet, ndërsa zonat teknologjike – industriale në Maqedoninë e Veriut mund të pozicionohen si urë për bashkëpunim ekonomik të Kazakistanit me tregjet e Evropës Juglindore dhe më gjerë. Me rëndësi të madhe për bashkëpunimin ndërkombëtar janë edhe tre marrëveshjet në sferën juridike, që u nënshkruan në gusht këtë vit.

Kryetari Xhafeir informoi për aktivitetet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se në Kuvend pjesëmarrje aktive kanë të gjithë forcat politike, nëpërmjet dialogut intensiv dhe transparent. Gjithashtu, Kuvendi ka pjesëmarrje aktive në evenimentet parlamentare rajonale dhe ndërkombëtare. Ai u zotua edhe për përshpejtimin e aktiviteteve për abrogimin e vizave për qytetarët e dy vendeve, me qëllim të avancimit të kontakteve të ndërsjella, të bashkëpunimit ekonomik dhe turizmit.

Kryetari Xhaferi foli edhe për proceset eurointegruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për rrumbullakimin e pritur të integrimit dhe marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në, duke theksuar se vendi është i gatshëm ti kapërcejë të gjitha sfidat që i sjellin negociatat aderuese në Bashkimin Evropian, si edhe anëtarësimi në NATO.

Në takim, kryetarët u pajtuan se ekziston hapësirë për përparimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kazakistanit, si në nivelin bilateral, ashtu edhe në atë multilateral, në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare.

Gjatë ditës, delegacioni zyrtar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut kishte edhe Drekë pune me Grupin për Bashkëpunim Ndërparlamentar “Kazakistan – Maqedonia e Veriut”.