Takim i parë Osmani – Varheji sot, tema kryesore është fillimi i negociatave me BE-në

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani e vazhdon vizitën e tij të parë të punës që nga marrja e detyrës në Bruksel, sot takohet me Eurokomisarin për Zgjerim Oliver Varheji, njofton korrespondentja e MEDIAL-s nga Brukseli.

Marketing

Osmani dje u takua me disa eurodeputetë dhe me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Xhosep Borell, me të cilin diskutuan për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE para fundit të këtij viti, siç pret Maqedonia e Veriut.

Shefi i Diplomacisë Evropiane theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë dhe ta përshpejtojë zbatimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Borell theksoi se është e nevojshme të punohet edhe në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Priten nga Varheji sot mesazhe të ngjashme.

Maqedonia e Veriut është në pritje të dritës jeshile për t’i filluar negociatat, ndërsa para kësaj vendet anëtare të BE-së duhet të bien dakord mbi kornizën negociuese për këtë proces, një kornizë për të cilën Bullgaria shprehu rezerva për shkak të çështjeve të pazgjidhura midis dy vendeve.

Osmani dje mori inkurajim nga eurodeputetët që ai i takoi se do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut ta marrë dritën jeshile deri në fund të këtij viti, në mënyrë që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet në dhjetor.

Sot, Ministri i Punëve të Jashtme do të takohet gjithashtu me Raportuesin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Kuçuk, i cili është me origjinë nga Bullgaria.

Kuçuk po përgatit një rezolutë në Parlamentin Evropian për mbështetje për hapjen e negociatave me BE-në.

Ministri i Punëve të Jashtme deklaroi dje se është optimist për negociatat me BE-në këtë vit.

“Pres miratimin në kohë të kornizës negociuese, duke i respektuar parimet e metodologjisë së re në procesin e negociatave. Ne po përballemi me një periudhë klimë pozitive, shumë punë, por edhe një motiv për të dhënë rezultate nga reformat në vend. “Fokusi im është në thellimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë jo vetëm si përfitim i ynë autentik, por edhe si një kontribut aktiv në bashkëpunimin rajonal si politikë kryesore për ruajtjen e idesë evropiane në Ballkan”, deklaroi dje Bujar Osmani.

Ai e diskutoi gjithashtu situatën në rajon me Xhosep Borell, veçanërisht dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit dhe e siguroi shefin e diplomacisë evropiane se Maqedonia e Veriut është në dispozicion për të ndihmuar nëse është e nevojshme.

Gjithashtu pritet me Varhejin sot të diskutohet edhe për Planin ekonomik dhe të Investimeve që e paralajmëron Komisioni Evropian tashmë disa muaj.

Ky Plan duhet të publikohet në tetor dhe synon të ndihmojë në forcimin e ekonomive në rajon kryesisht përmes projekteve të infrastrukturës.