Takim i shefave të diplomacive të Procesit të Berlinit më 9 nëntor, bashkëkryesues Osmani dhe Zaharieva

Takimi i shefave të diplomacive të Procesit të Berlinit do të mbahet më 9 nëntor në kuadër të bashkëkryesimit të procesit nga ana e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Takimi i shefave të diplomacive do t’i paraprijë takimit të kreut të procesit më 10 nëntor në Sofje, bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Marketing

Për shkak të gjendjes me Kovid-19, takimi i ministrave të punëve të jashtme do të organizohet përmes lidhjes videokonferenciale, nikoqire e të cilit do të jetë MPJ-ja bullgare.

Bashkëkryesues të takimit në formatin onlajn janë shefi i diplomacisë Bujar osmani dhe kolegia e tij bullgare Ekaterina Zaharieva. Në kuadër të takimit do të mbahet sesion plenar, në të cilin do të shqyrtohen mundësitë dhe sfidat para Procesit të Berlinit në kontekst të masave për ndërtim të besimit dhe për përmirësim të bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë lidhshmëri më të mirë midis njerëzve dhe infrastrukturës.

Fokus në bisedimet e ministrave do të jetë tema për të rinjtë dhe shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor.

Përveç shteteve të Procesit të Berlinit, në takimin në Sofje onlajn do të përfshihen edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në Tiranë (RYCO).

Pas përfundimit të video-konferencës së ministrave, do të mbahet konferencë për shtyp e të dy bashkëkryesuesve Osmani dhe Zaharirva në formatin onlajn.

Procesi i Berlinit është nismë politiko-diplomatike, e cila ka filluar në gusht të vitit 2014 nga ana e kancelares gjermane Angela Merkel.

Pjesëmarrësit në proces janë vendet e Ballkanit Perëndimor – Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa bashkësponzorë dhe mbështetës janë disa vende-anëtare të BE-së si Gjermania, Franca, Austria, Italia, Britania e Madhe, Polonia, Greqia, Kroacia, Sllovenia dhe Bullgaria.