Mbrëmë në Hotel Bushi në Shkup OH El Hilal organizoi takimin e fundit me bursistët e saj për vitin akademik 2019-20. Në këtë takim, i cili për shkak të gjendjes me pandeminë u prolongua për disa muaj, gjithsej 30 studentëve shfrytëzues të bursave të El Hilalit iu dorëzua kësti i fundit tremujor me çka u rrumbullakua ky aktivitet programor për këtë vit.
Në këtë takim ku merrnin pjesë edhe anëtarët e Këshillit drejtues të organizatës, studentët e pranishëm i përshëndeti kryetari Behixhudin Shehapi, i cili vuri në dukje situatën e krijuar me koronavirusin dhe vështirësitë për aktivitete shoqërore në përgjithësi. Gjithashtu, ai theksoi se shëndeti është mbi të gjitha duke ilustruar atë edhe me shembuj nga historia jonë e lavdishme. Megjithatë, vendosshmëria e El Hilalit për t’u dalë në ndihmë shfrytëzuesve të ndihmave dhe veçanërisht studentëve rezultoi me aktivitete mjaft inkurajuese, theksoi kryetari.
Për këtë takim ishte e paraparë edhe një ligjëratë fetare të cilën e mbajti hoxhë Mutalib ef.Ademi, anëtar i Këshillit drejtues të El Hilalit, me temë: “Rëndësia e mbështetjes së studentëve në rrugëtimin e tyre drejt shtigjeve të diturisë”, e cila u përcoll me vëmendje nga studentët.
Në fund, kryetari i Komisionit të bursave studentore, prof. Etem Xheladini dorëzoi bursat dhe nga një certifikatë studentëve si dëshmi se kanë qenë fitues të bursave nga aktiviteti programor i El Hilalit.
Ishte një nga takimet ku, përkundër situatës me Covid19, dominoi fryma inkurajuese mbi të gjitha.