Takim liderësh më 19 korrik, Zaev ftoi Mickovskin, Ahmetin dhe Selën

Kryeministri, Zoran Zaev, ka ftuar Hristijan Mickovskin, Ali Ahmetin dhe Zijadin Selën në takim liderësh të premten në klubin e deputetëve. Zaev tha se nuk duhet humbur kohë në interes të qytetarëve për të dakorduar Ligjin për Prokurori Publike, regjistrimin e popullsisë dhe Kodin e ri Zgjedhor.

Marketing

“Përkushtimi i sinqertë ndaj këtyre temave do të rrumbullakojë reformat në pjesën e integrimeve deri në fillimin e bisedimeve me BE-në, me të cilat në vjeshtë do të prezantohemi si shtet i cili ka mbyllur të gjitha çështjet për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve. Njëkohësisht nuk do t’i japim askujt argument të jetë kundër apo i rezervuar, edhe përkundër raportit të shkëlqyer ne vazhdojmë me punë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE: BISEDOJMË VETËM PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME

Nga VMRO-ja opozitare insistojnë që në takim liderësh të diskutohet vetëm për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Edhe nga fjalimi i sotëm i Zoran Zaevit u pa se nuk ka disponim për zgjedhje dhe ai thjesht po u ik zgjedhjeve me vetë atë që tha se mund të bisedohet për modelin zgjedhor, megjithatë të mos bëhet presion për zgjedhje të parakohshme. Ai frikësohet nga zgjedhjet pasi i mbarë opinioni është dëshmitar për zhytjen e tij në korrupsion, skandale, tender të trukuar dhe provizione”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

ZAEV REFUZON OPOZITËN: MBETEMI NË QËNDRIMIN PËR ZGJEDHJE TË RREGULLTA

Por, kryeministri Zaev është i prerë. Në këto momente përparësi duhet t’i jepet eurointegrimeve dhe zhvillimit të ekonomisë, e jo zgjedhjeve.

“Gjashtë muaj shkatërrojmë ekonomikisht shtetin kur shkojmë në zgjedhje. Besoni se edhe unë dua katër vite mandat dhe besoj se do të fitoj dhe do të formoj qeveri. Por, ekzistojmë për shtetin dhe popullin tonë, andaj mbetemi në qëndrimin për zgjedhje të rregullta”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Mësohet që BDI dhe Aleanca për Shqiptarët do të jenë pjesë e takimit.