Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot në Tiranë zhvilloi takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani. Ky takim reflekton përkushtimin e përforcuar bilateral për progresin në rrugën integruese të të dyja shteteve miqësore drejt BE-së.
Në këtë kontekst, Murtezani fillimisht uroi kolegun e tij shqiptar për mbajtjen e Konferencës së dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, me ҫka e fillon procesin negociues për anëtarësimin në BE sipas kapitujve, sipas metodologjisë së reviduar për zgjerim, me hapjen e negociatave sipas Klasterit 1 – “Themelet”. Po ashtu, ai theksoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të nisur negociatat deri në fund të këtij viti, çka do të ishte një impuls shtesë për vazhdimësinë e përpjekjeve të përbashkëta në avancimin e rrugës evropiane.
Ministrat Murtezani dhe Hasani riafirmuan miqësinë tradicionale dhe marrëdhëniet e ngushta bilaterale dhe diskutuan për intensifikimin e lidhjeve diplomatike dhe përforcimin e stabilitetit rajonal përmes qasjes së përbashkët në trajtimin e sfidave nga agjenda evropiane.
Ata theksuan rëndësinë e solidaritetit rajonal në këtë proces, si dhe vendosmërinë e përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të realizuar reformat e nevojshme në përputhje me standardet evropiane. Ministri Murtezani theksoi se bashkëpunimi në agjendat reformuese përmes zhvillimit të planeve të përbashkëta të punës për fushat kyçe, mundëson efikasitet më të madh dhe intensifikim të proceseve reformuese për të dyja vendet.