Takim Osmani – Lirman

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, takoi Ministren e Shtetit të Republikës Federale të Gjermanisë, përgjegjëse për Evropën, Ana Lirmann.

Marketing

Bashkëbiseduesit ranë dakord se është jashtëzakonisht i nevojshëm zbatimi i vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nga marsi i vitit 2020, nëse Bashkimi Evropian dëshiron ta ruajë kredibilitetin e tij, veçanërisht në rajon. Përballë rreziqeve të sigurisë në fqinjësinë e saj të afërt, të shkaktuar nga agresioni rus ndaj Ukrainës, BE-ja duhet ta demonstrojë rolin e saj të synuar si një lojtar gjeostrategjik dhe ta riafirmojë zgjerimin si një mjet të dobishëm të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë.

“Maqedonia e Veriut ka kohë që i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave dhe, përveç kësaj, ka arritur 100% përputhshmëri me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke iu bashkuar të gjitha sanksioneve në lidhje me pushtimin rus në Ukrainë, dhe është koha aë Bashkimi Evropian të tregojë nivel të barabartë përkushtueshmërie ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që tashmë veprojnë si anëtarë të BE-së”, tha Ministri, Osmani.

Dy ministrat nënvizuan se zhbllokimi i rrugës sonë drejt BE-së, pa shtyerje, ka rëndësi primare, për të cilën Gjermania do të vazhdojë, ashtu si deri më tani, të angazhohet në mënyrë aktive.

“Gjermania është partneri ynë kyç në arritjen e agjendës evropiane, e cila në mënyrë konzistente na mbështet dhe na ndihmon në rrugën drejt BE-së përmes përpjekjeve diplomatike, por edhe përmes lidhjeve që i ofron Procesi i Berlinit dhe bashkëpunimi 30 vjeçar zhvillimor bilateral”, tha Osmani.

Gjatë vizitës së punës, Ministri Osmani pati takime të ndara edhe me Këshilltarët e Kancelarit Scholz për Politikë të Jashtme, Jens Plotner dhe për Çështje të BE-së, Undine Ruge, për të diskutuar mbi urgjencën e zhbllokimit të procesit të integrimit evropian të vendit tonë. Ministri Osmani falënderoi për pozicionimin e çështjes së zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e Qeverisë gjermane. Bashkëbiseduesit gjermanë rikonfirmuan qëndrimin e Gjermanisë në lidhje me dosjen tonë evropiane dhe u zotuan se do të ndihmojnë në mënyrë proaktive në arritjen e prioritetit të politikës së jashtme për Maqedoninë e Veriut, i cili është gjithashtu një investim gjeostrategjik i BE-së në emër të një rajoni të sigurt, stabil dhe prosperues në zemër të Evropës.