Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Koresë, Park Xhin, në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, që paraqet takimin e parë në nivel ministrash të jashtëm që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.
Reklama
Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë për avancimin e bashkëpunimit mes dy vendeve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 2019, me theks të veçantë në marrëdhëniet ekonomike dhe lidhjet biznesore.
“Bashkëpunimi ekonomik mbetet fokusi kryesor i interesit tonë të përbashkët. Para nesh hapen mundësi të mëdha për rritjen e tregtisë dhe rrjetëzimin e biznesit. Investojmë përpjekje të konsiderueshme në diplomacinë ekonomike dhe jemi të përkushtuar në krijimin e kushteve të volitshme për investitorët e huaj”, tha Osmani, duke nënvizuar se investitorët nga Republika e Koresë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut do të kenë një partner të besueshëm dhe transparent për realizimin e projekteve të tyre potenciale në të ardhmen.
Reklama
Në takim u diskutua për sfidat aktuale të sigurisë pas agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, si dhe u mirëprit edhe bashkëpunimi ndërmjet NATO-s dhe partnerëve aziatikë, ku Republika e Koresë ka rol të rëndësishëm.
Nevoja për pasurimin e kornizës kontraktuale dhe forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh ishin gjithashtu tema të bisedës, ku u shkëmbyen mendime për prioritetet e politikës së jashtme të të dy vendeve, si dhe për çështje aktuale rajonale dhe ndërkombëtare.