Takim virtual i kryetarit Xhaferi me ish deputetët e Parlamentit Evropian

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim virtual me delegacionin e ish-eurodeputetëve në Parlamentin Evropian, të udhëhequr nga ish-Kryetari, dr. Hans Gert Potering.

Marketing

Duke i uruar për rizgjedhjen si Kryetar i Kuvendit, dr. Potering e theksoi kontributin e tij në stabilizimin e punës së Kuvendit në mandatin e mëparshëm dhe vuri në dukje se mbështetja e Parlamentit Evropian dhe Kryetarit Sasoli do të vazhdojë me intensitet të njëjtë edhe në këtë mandat. Ai theksoi se misioni i ish-deputetëve që janë ende aktivë dhe me ndikim në politikë dhe shoqëri në vendet e tyre është të kontribuojnë në bashkimin e kontinentit evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Kryetari Xhaferi u shpreh i kënaqur për mbajtjen e takimit në kushtet e pandemisë dhe falënderoi për mbështetjen e deritanishme të institucioneve evropiane në përpjekjet tona për të përmbushur qëllimin e dytë strategjik, pas anëtarësimit në NATO, anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ai e mirëpriti bashkëpunimin me Parlamentin Evropian, veçanërisht iniciativën e Kryetarit David Sasoli për komunikim më intensiv me kryetarët e parlamenteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Dialogun Zhan Mone si instrument pozitiv, veçanërisht në dritën e ngjarjeve të 27 prillit, duke shpresuar se ai do të vazhdojë sapo kushtet do të lejojnë. Kryetari Xhaferi i përshëndeti iniciativat që dalin nga Procesi i Berlinit, të tilla si: Zyra e Rinisë RIKO dhe kryesimi i përbashkët i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë me procesin këtë vit.

Ish-eurodeputetët u shprehën të interesuar për zhvillimet aktuale politike në vend, mbështetjen e qytetarëve për procesin e integrimit evropian, transparencën e Kuvendit ndaj publikut, mbikëqyrjen parlamentare, luftën kundër korrupsionit, sundimin e së drejtës dhe përfaqësimin e femrave në politikë.

Marketing