Takim Xhaferi-Radman

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me Gordan Gërliq Radmanin, ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë i cili është në vizitë zyrtare dyditore në vend.
Duke i uruar mirëseardhje përfaqësuesit të lartë të shtetit me të cilin na lidh miqësia dhe marrëdhëniet tradicionalisht të mira politike, ekonomike dhe kulturore, Kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje për mbështetjen pa rezervë të Republikës së Kroacisë për integrimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ai informoi se në kohën kur kontinenti ballafaqohet me sfida, Republika e Maqedonisë së Veriut, si vend kandidat për anëtarësim në BE arriti harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Unionit në drejtim të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Në raport me procesin e eurointegrimit, theksoi se bisedat me Bullgarinë nga ana jonë udhëhiqen me vullnet të sinqertë për afrim, bashkëpunim dhe ndërtim të besimit në zgjidhjen e çështjeve bilaterale, dhe në këtë drejtim, shpresojmë në ecje përpara, por se mossuksesi i marrjes së datës për fillimin e negociatave do të jetë dështim i Bashkimit Evropian. Në kontekst të bashkëpunimit bilateral me Kuvendin Kroat, Xhaferi theksoi se Kuvendi, në të gjitha mandatet deri tani formon Grup Parlamentar të Bashkëpunimit me Parlamentin Kroat, me çka e shfaq gatishmërinë dhe përkushtimin në realizimin e bashkëpunimit më të afërt ndërparlamentar dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në përforcimin e mëtejmë të lidhjeve miqësore ekzistuese ndërmjet dy shteteve dhe popujve.
Ministri Radman foli për eurointegrimet dhe theksoi se është në interes të Unionit të fillojnë negociatat me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Shqipërisë dhe se kjo do të ketë ndikim të madh pozitiv në gjithë rajonin. Shprehu keqardhje që për këtë pritet kaq gjatë. Asi e përsëriti zotimin e Republikës së Kroacisë për zgjerimin dhe rikujtoi për zotimet në këtë drejtim gjatë kryesimit kroat me BE-në, a e lavdëroi edhe shkallën e lartë të harmonizimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së. Informoi edhe për gatishmërinë e Republikës së Kroacisë për bashkëngjitje në eurozonë dhe futjen e euros në fillim të vitit të ardhshëm.
Bashkëbiseduesit këmbyen mendime edhe për Procesin e Berlinit dhe për Nismën Ballkani i Hapur, si zotime për përforcimin plotësues të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe avancimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Marketing