Takimi Ahmeti-Begaj, temë diskutimi edhe ndryshimet kushtetuese

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot në Shkup u takua me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron në Shkup në kuadër të Procesit “Bërdo-Brioni”, kumtoi Bashkimi Demokratik për Integrim.

Marketing

Marrëdhëniet bilaterale, integrimi europian, mbështetja e ndërsjellë, si dhe procesi i ndryshimeve kushtetuese ishin pjesë e bisedës në takimin.

Bashkëpunimi mes dy vendeve, thuhet në kumtesë, është cilësuar në nivel të lartë në të gjitha sferat, pa asnjë çështje të hapur.

“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë tashmë po realizojnë shumë projekte bashkë, përfshirë ato në sferën ekonomike dhe infrastrukturore si porti i Thatë në Strugë, kontrolli i përbashkët kufitar, hekurudha që do të lidh dy vendet, si dhe Korridori i 8-të. Rruga e integrimit europian që po e ecën Shkupi me Tiranën është vlerësuar me rëndësi të veçantë. Dy vendet tona kanë nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa mbështetja e ndërsjellë është më se e domosdoshme në këtë proces kyç”, qëndron në kumtesë.

Procesi i ndryshimeve kushtetuese gjithashtu ka qenë pjesë e bisedës në këtë takim, ku Ahmeti e ka informuar presidentin Begaj për gjithë ecurinë dhe iniciativat deri më tani, përfshirë edhe formimin e frontit evropian.