Bashkëpunimi dhe komunikimi i vazhdueshëm midis Ministrisë së Financave dhe Bankës Popullore kanë rëndësi të jashtëzakonshme për monitorimin e përhershëm dhe adekuat të situatave dhe lëvizjeve në ekonomi, si dhe për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe të përgjithshëm makroekonomik. Ato janë dhe duhet të mbeten prioritet i përbashkët i të dyja institucioneve. Këto janë pjesë e konkluzioneve të përbashkëta nga takimi i sotëm i ministrit të Financave, Fatmir Besimi dhe guvernatores të Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.
Mes tjerash në takim gjithashtu u diskutua edhe për situatat aktuale në ekonominë vendore pas goditjes së parë si pasojë e krizës së Covidit. Ndikimi më i fortë, siç theksuan bashkëbiseduesit, pritet të jetë ai në tremujorin e dytë të këtij viti dhe se nëse nuk ka zhvillim të pafavorshëm të krizës shëndetësore, ne tashmë mund të përqendrohemi në aktivitete për rimëkëmbjen graduale ekonomike. Sidoqoftë, sfidat nuk janë të përfunduara – politikëbërësit duhet të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet, të marrin masa adekuate për të mbështetur qytetarët dhe kompanitë dhe kur është e nevojshme të reagojnë në mënyrë të koordinuar në përputhje me kompetencat e tyre.
“Kriza aktuale e Covid-19 është një sfidë historike, jo vetëm për ne, por për të gjithë botën. Ne monitorojmë nga afër zhvillimet dhe reagojmë me masat e duhura. Por për këtë, nevojitet një qasje e koordinuar dhe profesionale, këtu para së gjithash e kam fjalën për politikën e koordinuar fiskale dhe monetare, por natyrisht edhe më gjerë në politikën koherente ekonomike. Mbetet që në periudhën vijuese, të biem dakord me të gjitha palët e interesuara për aktivitetet konkrete. Paralelisht, me masat që duhet të merren tani për rimëkëmbjen e ekonomisë, duhet dhe do të punojmë në masa dhe reforma që do të nënkuptojnë përmirësimin e konkurrencës së ekonomisë sonë dhe përshtatjen me “normalen e re”. “Prioriteti kryesor do të jetë zbutja e efekteve të krizës së Covid-19 dhe sigurimi i një baze solide për rimëkëmbjen e ekonomisë, me fokus në sigurimin e rritjes së përshpejtuar në periudhën pas krizës”-theksoi ministri Besimi.
Guvernatorja Angellovska-Bezhoska theksoi se efektet e krizës së Covid-19 në ekonominë vendore deri më tani janë brenda pritshmërive të parashikimeve të Bankës Popullore. Rënia e aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë është shumë afër parashikimit të Bankës Popullore prej 12%. Sidoqoftë, siç theksoi guvernatorja, në disa nga treguesit, performancat janë më të mira sesa pritej, përfshirë rezervat valutore dhe aktivitetin e kredisë dhe depozitave të sistemit bankar.
“Banka Popullore është maksimalisht e përgatitur të reagojë në mënyrë të adekuate brenda mandatit të saj edhe në rast të një vale të re së krizës shëndetësore. Në atë kontekst, mbështetja me qasjen në likuiditetin në valutë të huaj në euro është gjithashtu e rëndësishme, të cilën e morëm për herë të parë nga Banka Qendrore Evropiane dhe do ta përdorim në rast nevoje për të”- tha guvernatorja Angellovska-Bezhoska.
Ministri Besimi dhe guvernatorja Angellovska-Bezhoska ndanë mendimin se është thelbësore që stabiliteti financiar është ruajtur dhe përforcohet gjatë gjithë periudhës së kaluar, pandërprerë edhe gjatë krizës së Covidit. Konfirmimi i kësaj, nuk janë vetëm treguesit e monitoruar nga të dyja institucionet, por edhe perceptimet dhe vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare mbi qëndrueshmërinë e sistemit tonë financiar ndaj goditjeve. Ato pasohen nga vlerësimet e Raportit të fundit të Agjencisë “Standard & Poor’s”, në të cilin vërehet se sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan se sektori bankar i sigurt dhe i qëndrueshëm jep kontribut kyç për stabilitetin e përgjithshëm financiar dhe stabilizimin e pritshmërive të investitorëve dhe me këtë edhe mbështetje të rritjes ekonomike.
Në kuadër të takimit, guvernatorja Angellovska-Bezhoska uroi ministrin Besimi për emërimin e tij si ministër dhe fillimin e mandatit të tij. Ajo gjithashtu shprehu bindje se në periudhën e ardhshme ekipet e ekspertëve të Ministrisë së Financave dhe Bankës Popullore, përveç bashkëpunimit në kuadër të aktiviteteve të rregullta institucionale, do të angazhohen bashkërisht edhe për finalizimin e projekteve të përbashkëta, ndër të cilat janë Ligji i ri për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave, Ligji për mbikëqyrje makroprudente, si dhe ligje të tjera që do të çojnë në forcimin e mëtejshëm të sistemit financiar. Njëkohësisht, janë planifikuar aktivitete të reja projektuese që do të paraqesin një kontribut të përbashkët për ekonominë vendore.