Takimi Osmani-Dendias, ia çfarë u diskutua

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot ishte nikoqir i homologut të tij, Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili po qëndron për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Gjatë takimit tete-a-tete u konstatua gatishmëria për avancimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik përmes formave konkrete të bashkëpunimit dhe angazhimeve, gjë që siguron një lidhje më të ngushtë mes dy vendeve dhe qytetarëve nga të dyja vendet. Një bashkëpunim i tillë paraqet model për të gjithë rajonin rreth asaj se si duhet të jetë bashkëpunimi dhe se si të zgjidhen me sukses çështjet e hapura mes dy fqinjëve. Në këtë kontekst, u bisedua për përmbushjen e obligimeve nga Marrëveshja e Prespës, si dhe për ndikimin e marrëveshjes në zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Rezultatet e arritura, u theksua, shkojnë përtej nivelit nacional dhe ndikojnë pozitivisht në marrëdhëniet e përgjithshme në rajon.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për zhvillimet e fundit në bashkëpunimin rajonal, agresionin rus ndaj Ukrainës, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, si dhe portofolion e BE-së të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të rajonit, ndër të tjerash edhe për faktin se Greqia vazhdon të jetë një lobist i fuqishëm për integrimin tonë.

“Ne si aleatë të NATO-s kemi obligim që të kujdesemi për stabilitetin rajonal dhe në këtë drejtim jam veçanërisht i kënaqur që kemi një qasje të koordinuar në interes të rajonit dhe Evropës”, ​​theksoi Osmani, duke argumentuar se fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë paraqet mënyrën më të mirë për ta rikthyer kredibilitetin evropian në rajon, dhe në këtë drejtim shtoi “Veçanërisht më qëzon fakti që e kemi mbështetjen e plotë të Greqisë”.

U bisedua edhe për bashkëpunimin ekonomik, lidhjen energjetike, e cila është thelbësore për sigurimin e diversifikimit në furnizimin me energji, hapjen e shpejtë të kalimit kufitar Markova Noga-Lemos dhe turizmin.

Vizita e Ministrit, Dendias është vizita e dytë e shefit të diplomacisë greke në vend brenda një viti, gjë që flet për përkushtimin e tij për të ardhmen e marrëdhënieve tona bilaterale dhe perspektivën evropiane të rajonit tonë. Ministrat do të kenë mundësinë ta vazhdojnë serinë e takimeve në Samitin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që do të mbahet në Selanik në fillim të qershorit, si dhe gjatë edicionit të dytë të Forumit të Prespës për Dialog, ku do të marrë edhe Ministri Dendias, në mes të muajit qershor, në Ohër.