Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u takua me Ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melani Xholi, në kuadër të Samitit të NATO-s, në Vilnius të Lituanisë. Duke përshëndetur zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, Osmani në veçanti theksoi Deklaratën e Partneritetit Strategjik ndërmjet dy vendeve, si potencial i rëndësishëm dhe një bazë solide për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë. Bashkëbiseduesit e përshëndetën bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kanadasë në kuadër të Aleancës, me theks të veçantë në pjesëmarrjen tonë në Praninë e Shtuar në Letoni, si pjesë e kontingjentit slloven, ku Kanadaja është kombi kornizë. Në këtë mënyrë, të dy vendet së bashku me aleatët e tjerë kontribuojnë në forcimin e krahut lindor të Aleancës, në një kohë kur ai është më i nevojshëm.
“Bashkëpunimi me Kanadanë, në kuadër të NATO-s, e veçanërisht në grupet luftarake shumëkombëshe, flet për kontributin tonë aktiv në ruajtjen e sigurisë së përgjithshme transatlantike, e cila është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e ri gjeopolitik”, theksoi Osmani.
Në takim u diskutua edhe për sfidat e shumta pas agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, si dhe për çështjet dhe situatat aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, u riafirmua mbështetja për integrimet europiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si segment i rëndësishëm i orientimit të përgjithshëm europian dhe euroatlantik të të gjithë rajonit.
Osmani informoi për aktivitetet në kuadër të kryesimit tonë me OSBE-në, si dhe për rolin dhe mekanizmat e Organizatës në drejtim të ballafaqimit me sfidat dhe ruajtjen e sigurisë, me ç’rast u shpreh përkrahja e Kanadasë për udhëheqjen politike dhe aktivitetet në kuadër të kryesimit të vendit me Organizatën.