Takimi VMRO-DPMNE dhe VLEN, ja tre pikat që dakorduan për Qeverinë e re

Sot është mbajtur takimi i parë mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it për formimin e Qeverisë së re.

Marketing

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i shoqëruar nga nënkryetarët e partisë së tij Aleksandar Nikollovski, Vlado Misajlovski, Timço Mutsunski dhe Gordana Koçoska Dimitrieska ishin përballë krerëve të VLEN, Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi.

VMRO – DPMNE përmes një komunikate njoftoi se janë dakorduar parimet e përgjithshme të bashkëpunimit për qeverinë e ardhshme, të cilat do të bazohen në tre postulate: integrimi evropian, zhvillimi i përshpejtuar ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i ligjit.

“Është konstatuar se të dyja palët do të formojnë grupe punuese, në të cilin nivel do të vazhdojnë bisedimet deri në finalizimin e tyre”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.

Më herët, VLEN deklaroi se sipas tyre, takimi dhe bisedimet fillestare kanë shkuar në drejtim pozitiv.

Bashkim Bakiu nga VLEN pas përfundimit të takimit mes liderëve të koalicionit VLEN dhe Hristijan Mickoskit, liderit të VMRO-DPMNE-së ka theksuar se negociatat po shkojnë në drejtim të duhur.

“Negociata shkojnë në drejtim të duhur dhe më vonë do të informoheni me komunikatë për detaje, nalt poshtë nga e hëna fillojnë të formohen edhe grupet për të realizuar negociatat”, tha Bakiu.(INA)

Marketing