Takimi Zekolli Shaqiri – Scapivski: Sëbashku do të punojmë për përforsimin e Inspektoratit shtetëror të transportit

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, sot zhvilloi një takim pune me Ministrin polak Artur Scapiewski, gjithashtu Kryeinspektor i Transportit në Republikën e Polonisë, si dhe Piotr Wysocki përfaqësuesi i ambasadës së Republikës Polonisë në Maqedoni.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin midis dy vendeve, me theks të veçantë në politikat e transportit dhe investimet. Zëvendësministrja Zekolli Shaqiri theksoi se Maqedonia vazhdimisht punon për të harmonizuar politikat e brendshme të transportit me rregullativën e transportit të Bashkimit Evropian. 

Marketing

Gjatë takimit u hap edhe çështja e zbatimit të projektit Twinning për modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Inspektoratit Shtetëror të Transportit, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian me një vlerë prej 2.1 milionë euro. Qëllimi kryesor i këtij projekti është të përmirësohen kapacitetet teknike dhe njerëzore të Inspektoratit Shtetëror të Transportit përmes aftësive të reja, përvojave dhe harmonizimit të legjislacionit të brendshëm me atë të Bashkimit Evropian. Për këtë qëllim, Inspektorati Shtetëror i Transportit të Polonisë, duke filluar nga tetori i këtij viti, për 28 muajt e ardhshëm do të ketë një përfaqësues të përhershëm në Maqedoni, i cili do të punojë për përmirësimin e të gjitha aktiviteteve të IST-së.

“Jam e lumtur që po fillojmë një projekt përmes të cilit do të rrisim sigurinë në rrugë dhe inspektorët tanë do të fitojnë njohuri dhe përvoja të reja në nivelin e kolegëve të tyre nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu, do të arrijmë standarde më të larta sigurie në këtë fushë. Ky është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe pres që të përmirësojmë ndjeshëm kushtet në Inspektoratin Shtetëror të Transportit,” theksoi pas takimit zëvendësministrja e Transportit,Kaltrina Zekolli Shaqiri.