Një talent shqiptar është bërë dëshirë e madhe e gjigantit kroat Dinamo Zagreb. Bëhet fjalë për Cristian Shpendin, sulmuesin e Shpresave të Shqipërisë. Megjithatë, transferimi i 21 vjecarit është i vështirë, pasi ai ka rinovuar kontratën me skuadrën e Cesenas në Serie B të Italisë deri në vitin 2028.
Në anën tjetër, për mediat italiane, drejtori sportiv i Cesena, Fabio Artico kishte deklaruar se në rast të një oferte të rëndësishme nuk do të bëhen pengesë për lojtarët.
Vlera e kartonit të Cristian Shpendit përllogaritet rreth 2 milion euro.
Shpendi këtë sezon ka shënuar dhjetë gola në 14 paraqitje dhe shumë klube në Serie A, përfshirë dhe Fiorentinën e Napolin ishin pas tij.
“Cesena FC njofton se ka zgjatur marrëdhënien e saj sportive me sulmuesin Cristian Shpendi deri më 30 qershor 2028. Pasi mbërriti në sektorin e të rinjve në verën e vitit 2019, sulmuesi i lindur në vitin 2003 fillimisht luajti në ekipet U-17 dhe Primavera, përpara se të bënte debutimin e tij në ekipin e parë në fillim të sezonit 2021/2022.
Ndër protagonistët e fitores së kampionatit të Serisë C 2023/2024, me fanellën e Cesena FC ka shënuar 35 gola në 80 paraqitje të përgjithshme deri më sot. E gjithë familja e Cesena FC i uron fat Cristianit, ndërsa ai vazhdon aventurën e tij bardh e zi”, njofton Cesena.