Taleski për MIA: Vizita e “centralit” të NATO-s është konfirmim final politik për anëtarësimin tonë të sigurt

entrali” i NATO-s për dy ditë, të dielën dhe të hënën do të shpërngulet në Shkup. Kjo tregon se jemi duke e marrë vendin tonë të merituar si vend anëtar e ardhshëm i 30-të i Aleancës. Në kuadër të vizitës do të ketë takim të përbashkët të NAK-ut me Komitetin për integrim në NATO, të cilin e kryeson kryeministri Zoran Zaev. Në këtë takim do të diskutohet procesi i integrimit tonë në NATO, dhe ky do të jetë konfirmimi final politik për anëtarësimin tonë të sigurt të ardhshëm.

Marketing

Këtë e paralajmëron Dane Taleski, këshilltar i posaçëm i Punëve të Jashtme i kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në intervistën për MIA-n në të cilën flet për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në NATO dhe çfarë do të thotë kjo për vendin shikuar prej më shumë aspekteve.

Pritet procesi i ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të plotfuqishëm të përfundojë brenda disa javëve të ardhshme, ndërsa ratifikimi i fundit i Protokollit do të jetë në Kuvendin tonë, bën të ditur Taleski i cili i merr përsipër obligimet dhe detyrat deri në anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO. Është reale të presim që e gjithë procedura të përfundojë deri në fund të vitit, nënvizon ai, por edhe nëse nuk ndodhë kjo, nëse procedura e anëtarësimit tonë të plotfuqishëm përfundon në fillim të vitit 2020, kjo nuk do të ketë kurrfarë rëndësie thelbësore.

Kemi përpiluar një Program për reforma të vazhdueshme për integrim në NATO, i cili ka aktivitete dhe masa të përkufizuara qartë që duhet të realizohen, e në pjesë të madhe, shprehet mes tjerash, këto masa në raport me kriteret politike janë të sinkronizuara me BE agjendën tonë.

Anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO, thekson Taleski, është sinjal i qartë për gjithë botën se shteti është i qëndrueshëm dhe i sigurt, dhe se ka ardhmëri të sigurt. Kjo është, siç thekson, themeli për zhvillimin ekonomik.

Cilat janë pritjet nga vizita e paralajmëruar e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg?

– Më 2 dhe 3 qershor në Shkup vjen Këshilli i Atlantikut të Veriut (North Atlantic Council – NAC), i kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. NAK-u është një trup i përbërë prej përfaqësuesve permanent, në rang të ambasadorëve, nga të gjitha vendet e përhershme anëtare të NATO-s. Ky është trupi kryesor politik që i merr vendimet në NATO. NAK-u shqyrton si çështje politike, ashtu edhe operative që kanë të bëjnë me sigurinë kolektive të Aleancës, dhe është forum qendror për konsultime mes vendeve anëtare për të gjitha çështjet që janë të rëndësishme për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë së vendeve anëtare. Thënë shkurt, kjo është “centrali” i NATO-s. Do të thotë se vizita e paralajmëruar e sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg, në Shkup për dy ditë për vizitë do të jetë e tërë përbërja e NAK-ut. Kjo do të thotë se “centrali” i NATO-s, kushtimisht thënë, për dy ditë do të shpërngulet në Shkup. Kjo është me rëndësi të madhe për procesin tonë të integrimit në NATO dhe tregon se jemi duke e marrë vendin tonë të merituar si vend i 30-të anëtar i ardhshëm i NATO-s. Në kuadër të vizitës do të ketë takim të përbashkët të NAK-ut me Komitetin për integrim në NATO, të cilin e kryeson kryeministri Zoran Zaev. Në këtë takim do të diskutohet procesi i integrimit tonë në NATO, dhe kjo do të jetë konfirmimi final politik për anëtarësimin tonë të sigurt të ardhshëm. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg dhe NAK-u do të takohen edhe me presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

Kjo është vizita e dytë e NAK-ut. E para ka qenë në vitin 2003, kur për vizitë ka qenë NAK-u i kryesuar nga sekretari i atëhershëm i përgjithshëm Lord Robertson. Por, konteksti dhe porositë janë krejtësisht ndryshe. Në vitin 2003, kishin ardhur që të na mbështesin në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe zbatimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Tani në vitin 2019 vijnë që bashkërisht t’i vëmë “vulë” politike anëtarësimit tonë të plotfuqishëm në NATO.

Kanë mbetur shumë pak vende për ta ratifikuar Protokollin për anëtarësim të plotfuqishëm?

– Deri tani Protokollin për anëtarësimin tonë në NATO e kanë ratifikuar 13 vende anëtare, ndërsa pritet që ky proces të përfundojë brenda disa javëve të ardhshme. Këto janë thuajse gjysma e numrit të përgjithshëm prej 29 vendeve anëtare. E dimë se procedura ka filluar në të gjitha vendet tjera anëtare dhe se ajo realizohet në përputhje me rregullat e tyre vendore për ratifikim ose miratim të protokollit, për shembull diku këtë e bën Qeveria, diku Kuvendi (i cili në disa vende është dydhomësh). Ratifikimi i fundit i Protokollit do të jetë në Kuvendin tonë, meqë edhe ne duhet ta ratifikojmë Protokollin për anëtarësim, dhe me këtë në aspektin formal juridik do të rrumbullakohet procesi që Kuvendi ynë njëzëri e përcaktoi që në vitin 1993.

Është reale të presim që e tërë procedura të përfundojë deri në fund të vitit. Shpresojmë se për samitin e NATO-s në dhjetor, në të cilin shënohet 70 vjetori i themelimit të NATO-s, ne do të marrim pjesë si vendi i 30-të anëtar. Kjo do t’i japë simbolikë dhe vlerë plotësuese samitit. Por, edhe nëse nuk ndodhë kjo, nëse procedura e anëtarësimit tonë të plotfuqishëm përfundon në fillim të vitit 2020 edhe kjo do të jetë krejtësisht në rregull, gjegjësisht kjo nuk do të ketë kurrfarë rëndësie thelbësore.

Është i sigurt pranimi i vendit tonë si anëtar i 30-të i NATO-s. Çfarë do të thotë kjo për Republikën e Maqedonisë së Veriut?

E para dhe themelorja, kjo është përmbushje e njërit prej qëllimeve më të rëndësishme strategjike të shtetit. Do të bëhemi anëtare e plotfuqishme në Aleancën më të madhe ushtarako-politike që ekziston dhe njëherësh edhe Aleancën më të fuqishme në historinë e deritanishme të botës. Disa nga vendet më të avancuara dhe më të zhvilluara në botë janë anëtare të Aleancës e cila kujdeset për sigurinë kolektive të më shumë se 900 milionë qytetarëve të vendeve anëtare. Siguria dhe mbrojtja jonë do të jetë e përmirësuar dhe e garantuar. Përveç asaj që është e rëndësishme për sigurinë kolektive të vendeve anëtare, NATO-ja kontribuon pozitivisht edhe në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mbarë botën. Ne bëhemi pjesë e një organizimi të tillë, si anëtare e plotfuqishme me të gjitha të drejtat dhe obligimet që rezultojnë nga ky anëtarësim.

Së dyti, kjo do të thotë shumë për avancimin e situatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pozicionimin tonë në rajon. NATO-ja nuk është vetëm aleancë ushtarake, kjo është aleancë politike e cila bazohet në sistemin e rregullave dhe vlerave demokratike. Anëtarësimi ynë do të ndihmojë në konsolidimin e proceseve demokratike dhe avancimin e reformave tona vendore, që janë të rëndësishme edhe nga aspekti i integrimit në BE. Të gjitha vendet nga Evropa Lindore që u bënë pjesë e BE-së, fillimisht u bënë pjesë e NATO-s. Ka përputhje të madhe mes vendeve anëtare në NATO dhe vendeve anëtare në BE. Kur jeni tashmë pjesë e NATO-s dhe aleat, atëherë lehtësohet komunikimi dhe bashkëpunimi në raport me integrimin tonë në BE. Me tre prej pesë fqinjëve tanë tani do të jemi aleatë me të drejta dhe obligime të njëjta, do të marrim pjesë në bazë të njëjtë në të gjitha proceset dhe misionet në NATO. Kjo do të ndihmojë që t’i transformojmë marrëdhëniet e shkëlqyeshme që i kemi zhvilluar, në forma të bashkëpunimit më të ngushtë të aleatëve nga i cili dobi do të ketë gjithë rajoni, duke na përfshirë edhe neve.

Në opinion i gjithë procesi për anëtarësim në NATO shikohet si obligim i MM-së dhe ARM-së, mirëpo ky është një koordinim shumë më i gjerë. Kush janë gjithë ata që janë përfshirë në përmbushjen e plotë të kritereve të nevojshme, krahas Armatës e cila dëshmoi shumë më parë se është e gatshme?

MM-ja dhe ARM-ja kanë obligime të mëdha dhe të rëndësishme në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në NATO, dhe nga ky aspekt i ushtrojnë në mënyrë të shkëlqyeshme obligimet e tyre. Por, keni të drejtë se bëhet fjalë për koordinim shumë më të gjerë. Struktura nacionale e cila punon për të integruar shtetin në NATO përbëhet prej Komitetit për integrim në NATO, të cilin e kryeson kryeministri, ndërsa bashkëkryesues janë zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Mbrojtjes, zëvendëskryeministri për çështje të BE-së dhe ministri i Jashtëm, ndërsa krahas tyre anëtarë janë edhe ministrat e brendshëm, drejtësisë, financave, shoqërisë informatike dhe administratës. Ky është niveli më i lartë politik i strukturës nacionale.

Së dyti, niveli operativ dhe administrativ, ka Komitet punues për integrime në NATO që është trup punues mes dikastereve në të cilin marrin pjesë përfaqësues të ministrive lineare që tashmë i përmenda, por edhe organe dhe institucione tjera që janë në përbërje të tyre, e të cilat janë të rëndësishme për procesin e integrimit në NATO. Përveç kësaj, në komitetin punues janë përfshirë edhe përfaqësues të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, meqë në procesin e integrimit tonë ne duhet t’i inkorporojmë në legjislaturën tonë rregullat dhe procedurat që vlejnë në NATO.

Ka përfshirje të gjerë të institucioneve të ndryshme që duhet t’i përmbushin kriteret për anëtarësim që nuk janë vetëm në raport me armatën dhe mbrojtjen, por janë në raport edhe me standardet politike për funksionim demokratik, siç është sundimi i së drejtës, profesionalizimi i administratës, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi përpiluar Program për reforma të vazhdueshme për integrim në NATO, i cili ka aktivitete dhe masa të përkufizuara qartë që duhet të realizohen, ndërsa në pjesë të madhe këto masa në raport me kriteret politike janë të harmonizuara me BE agjendën tonë. Përmbushja e aktiviteteve të parashikuara rrjedhë me një dinamikë të shkëlqyeshme, gjë që mund të shihet në planin gjysmë-vjetor për realizimin e programit që e miratoi Qeveria, ndërsa i njëjti është përkthyer në gjuhën angleze dhe u është shpërndarë vendeve anëtare të NATO-s.

Çfarë do të thotë anëtarësimi nga aspekti i sigurisë, por edhe në planin ekonomik për më shumë investime të huaja?

Anëtarësimi në NATO do të thotë garanci absolute për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e shtetit. Anëtarësimi në NATO do të thotë forcim të resurseve dhe kapaciteteve tona për garantimin e sigurisë dhe mirëmbajtje të qëndrueshmërisë përmes bashkëpunimit të ndarë me aleatët tanë. Nga aspekti politik kjo është porosia se shteti është aleat me vendet më të fuqishme dhe më të zhvilluara të botës.

Ky është sinjal i qartë për gjithë botën se shteti është i qëndrueshëm dhe i sigurt, dhe se ka të ardhme të sigurt. Ai është themeli për zhvillim ekonomik. Kjo i inkurajon investimet e huaja, por edhe ato vendore. Garancia për siguri, qëndrueshmëri dhe mbrojtje sjellë edhe efekte konkrete ekonomike. Për shembull, ulja e rrezikut të sigurisë ndihmon në rritjen e rejtingut kreditor të këtij vendi, ndërsa kjo e bën më të lehtë qasjen deri te tregu i kapitalit. Me fjalë të tjera, përvoja nga Mali i Zi, Kroacia dhe Shqipëria, gjegjësisht vendet anëtare që janë anëtarësuar të fundit në NATO, është se me anëtarësimin në NATO vjen deri te rritja e investimeve të huaja dhe vendore, dhe se ka kredi më të lira në dispozicion për ndërmarrjet private dhe qytetarët individual.

Për buxhetin për mbrojtje dhe obligimin e marrë përsipër deri në vitin 2025?

– Ne kemi marrë përsipër obligimin që deri në vitin 2024 buxheti për mbrojtje të jetë në nivelin e 2 për qind të BPV-së sonë, dhe ne do ta realizojmë këtë. Ky është standard i NATO-s. Shteti ynë tashmë ka pasur buxhet për mbrojtje që ka qenë në atë nivel gjatë periudhës para vitit 2008, kur pritej të marrim vendim që të bëhemi anëtare e plotfuqishme në Samitin e Bukureshtit. Por, gjatë viteve për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Qeverisë paraprake dhe prioriteteve të gabuara politike, situatat në mbrojtje ishin përkeqësuar seriozisht. Qeveria i ndërmori masat dhe hapat e domosdoshëm për të rritur buxhetin e mbrojtjes dhe për t’i përmirësuar situatat në mbrojtjen. Kjo është vërejtur dhe vlerësuar nga NATO dhe aleatët. Nga ana tjetër, Qeveria i ndërmori të gjitha masat e domosdoshme për të garantuar qëndrueshmëri makroekonomike që të mund të realizohet synimi i Qeverisë që çdo vit buxheti i mbrojtjes të rritet për së paku 0.2 për qind të BPV-së sonë. Me këtë ritëm, do të duhej të arrijmë që buxheti për mbrojtjen të jetë 2 për qind të BPV-së, së paku në vitin 2023, që do të thotë se do të arrijmë standardin e NATO-s dhe do të realizojmë obligimin tonë. Duhet të thuhet se ky është buxheti që mbrojtja jonë do ta ketë në dispozicion për nevojat e saj, gjegjësisht për modernizimin e ARM-së, për përmirësimin e kushteve të punës, për rritjen e nivelit të interoperabilitetit me aleatët nga NATO, por edhe për rritjen dhe përmirësimin e standardit të profesionistëve që janë të angazhuar në mbrojtjen dhe të cilët kujdesen për sigurinë tonë. Rritja e buxhetit të mbrojtjes nuk do të thotë se ne bëjmë shpenzim për llogari të NATO-s, por se kemi mjete të mjaftueshme financiare që sistemi ynë i mbrojtjes dhe sigurisë të funksionojë në nivel të njëjtë, me standarde dhe cilësi të njëjta të punës, siç janë në vendet anëtare të NATO-s. Dhe ne do ta arrijmë këtë.

Marketing