Tani që s’ka më iftare, nga dalin rastet e reja? Karaxhoski: Nëse s’i ndihmojmë vetes, s’na ndihmojnë as 500 mjekë

Nga Çairi, numri i lartë i rasteve me Kovid-19, tani u zhvendos  në komunën e Aerodromit.

Marketing
Në valën e kaluar si shkak i burimit të infeksionit u paraqitën iftaret dhe festa e Bajramit, por tani që nuk kemi tubime të tilla, nga po dalin rastet e reja.

Epidemiologët me përgjigje, nga ahengjet në kafene dhe dasmat nëpër shtëpi, dhe gjithçka tjetër çfarë nënkupton mosrespektim i masave antikovid, siç është mbajtja e maskës, ruajtja e distancë dhe grupim i më shumë qytetarëve në ambiente të mbyllura.

“Iftaret ishin në muajin maj. Tash jemi në muajin tetor. Tash nuk mund të themi se problem janë iftaret. Tash është problemi aty ku ka dasma dhe ku grupohen njerëzit”, tha në intervistë për “10 Minuta”, kryetari i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Zharko Karaxhoski.

Për këtë, në pakon e dytë shtrënguese është propozuar kufizimi i punës së operatorëve ekonomikë. Ende nuk është precizuar ora, pasi kjo çështje do të diskutohet ditën e hënë në Shtabin e Krizës.  Është propozuar edhe që transporti publik të qarkullojë me 50 për qind të kapacitetit të udhëtarëve.

“Kufizim i kapacitetit të njerëzve në transportin publik deri në 50% siç ishte më parë, më tej, ndalesë për të gjitha ahengjet dhe orari i punës për të gjithë objektet hotelerike të përfundojë në ora 23:00. Nëse miratohet kjo pako dhe tjetra që është në Kuvend, mendoj se seriozisht do ta zbusë transmisionin e virusit”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Me këtë, bëhet përpjekje që të mirëmenaxhohen edhe kapacitetet spitalore, që siç thanë janë nga fundi. Të gatshme janë edhe spitalet modulare, por ende nuk ka pacientë në to. Qëllimi, siç tha Filipçe dhe Karaxhoski, është të shmanget ora policore, si në nivel lokal por edhe për tërë shtetin, kjo sepse vendi çdo ditë regjistron rekord rastesh pozitive. Parashikimet janë që ato të arrijnë deri në 1 mijë.

“Ju lutem, edhe media edhe popullatë, nëse nuk i ndihmojmë vetes, nuk mund të na ndihmojnë as 500 mjekë, as 500 infermiere, as 20 spitale. E gjithë kjo do të mbushet shpejtë, kurse ne siç e dini, punojmë nga marsi e këndej. Do të thotë, kërkojmë ndihmë nga të gjithë”, tha Karaxhoski.

Sa i takon pakos së kaluar restriktive, ku u propozua mbajtja e maskës në mjedise të hapura, ndalesa e grupimit në ambient të hapur dhe kufizimi i mysafirëve në shtëpitë e qytetarëve, Filipçe tha se pret të njëjtat të hyjnë fuqi nga java e ardhshme, pasi siç tha, amendamentet për ndryshim të Ligjit për mbrojtje të qytetarëve nga sëmundjet infektive, tashmë janë përpiluar.