Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së, të cilët sot kanë deklaruar se në bordet drejtuese të gjashtë institucioneve shëndetësore shqiptarët janë zëvendësuar me maqedonas. Ai thekson se këto pretendime janë të pabazuara dhe se situata reale është ndryshe.
“Duhej të jenë korrekt kur përmendin klinikat ku ka më pak shqiptarë. Të njëjtën kohë, duhet të theksojnë edhe klinikat ku sot ka më shumë shqiptarë sesa më parë. Numri i anëtarëve shqiptarë në borde është, në fakt, relativisht i njëjtë siç ka qenë më parë,” tha Taravari.
Ai shtoi se disa shembuj të paraqitur nga BDI janë të pasaktë. “Janë qesharakë. Përmendin 4-5 klinika ku është një shqiptar më pak, por nuk përmendin klinikat ku janë shtuar 1 ose 2 shqiptarë. Në përgjithësi, përqindja e shqiptarëve në bordet drejtuese mbetet e pandryshuar, madje mund të them që në disa raste është rritur. Shqiptarët janë prezentë në shumicën e institucioneve,” përfundoi Taravari.