Taravari: Fitorja jonë vjen për shkak të bashkimit, nuk ka alternativë tjetër përveç ndryshimit

Fitorja do të arrijë për shkak të bashkimit të partive opozitare. Kështu u shpreh Arben Taravari kandidati i VLEN-it për president të shtetit në tubimin e sotëm në Kumanovë.

Marketing

“Jemi shumë. Jemi bashkuar që kësaj radhe të fitojmë. Gjithmonë në Maqedoninë e Veriut, qysh prej vitit 2011, opozita ka pasur më shumë vota se sa BDI-ja, por nuk kemi qenë të bashkuar. Tash jemi bërë të gjithë bashkë në koalicionin VLEN. E kemi edhe bekimin e kryeministrit Albin Kurti, dhe ky bashkim na ka siguruar fitoren, sepse ndryshimi vlen”, tha Taravari.

Taravari theksoi se në popull ekziston entuziazëm dhe përkrahje për VLEN-in dhe në këto zgjedhje, nuk ka alternativë tjetër përveç ndryshimit.

“Ne i kemi dyert  e hapura kudo këtu në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Prishtinë e në Tiranë. Këtë gjë, fatkeqësisht nuk mund ta them për kundërkandidatin tim. Ai ia ka mbyllur derën vetes dhe ne i dimë edhe arsyet”, u shpreh Taravari.

Sipas Taravarit, orientimi i tij si kandidat për president, por edhe si koalicion janë pro-perëndimor, ndërkaq në kampin tjetër, ka njerëz dhe biznese me lista të zeza e me kapital rus dhe serb.

Kandidati për president, Arben Taravari po ashtu theksoi 4 shtyllat kryesore të Programit të tij presidencial, pa mashtrime dhe pa fjalë të kota, ndërsa sipas tij për 22 vite qeverisje, shqiptarët kanë parë vetëm keq-qeverisje.

“Neve po e shohim se sa i nevojshëm është ndryshimi. Më shumë se sa që ne po e potencojmë, këtë fakt po na e tregon gjendja në terren, bisedat me njerëzit e skandalet e përditshme të akterëve institucionalë e shtetërorë. Kur skandalet dhe aferat bëhen përditshmëri, ndryshimi është domosdoshmëri, ndërsa zgjidhja nuk ka qenë kurrë më e lehtë se kësaj here”, u shpreh në fund Taravari.