Taravari: Fronti dhe BDI-ja dalëngadalë po zhbëhen!

“Fronti ku BDi është udhëheqëse, tashmë e humb vetëbesimin. Disa deputetë të tyre tashmë janë të luhatshëm, ata bisedojnë disa me VLEN-in, disa dirket me VMRO-DPMNE-në dhe kjo krijon për Frontin një lloj pasigurie”.

Marketing

Kështu tha Arben Taravari njëri nga liderët e koalicionit shqiptarë “VLEN” dhe ministër i Shëndetësisë në emisionin “On Time” në televizionin Koha.

Ai tha se ka pritur të ketë një qendrueshmëri pak më të gjatë te BDI-ja, por siç theksoi, “si duket Fronti dhe BDI sipas përshtypjes sime dalngadalë po zhbëhen”.

“Tani kur nuk kanë se si ta motivojnë anëtarësinë e vet, para se të formohej qeveria thoshin se s’bëhet qeveria dhe paska një telefon të kuq. Po qeveria u bë, e para asaj thoshin se kryetarin e Parlamentit nuk e merr VLEN-i, tash kryetarin e Parlamentit e kemi. Derisa ne negocionim për qeverinë, ata vazhdimisht rinin nëpër zyrat e Kuvendit dhe këtu unë dua ta përmendi zyrën 161 ku disa deputetë të Frontit kanë insistuar te VMRO-DPMNE-ja që të hynë në qeveri me katër ministra dhe pa kryetar parlamenti. Tash thonë se kjo qeveri do zgjasë tre apo gjashtë muaj, pas Vitit të Ri do të thonë se kjo qeveri do e zgjasë deri në zgjedhjet lokale dhe se ata do i fitojnë zgjedhjet lokale dhe do të bëhen pjesë e qeverisë. Këto janë mënyra legjitime që ata ta motivojnë anëtarësinë e vet, por unë mendoj se njëri prej deputetëve të Fornit, të BDI-së kur të largohet zyrtarisht, shumë shpejtë do të bëhet zhbërja totali e Frontit”, deklaroi Taravari.

Ai tha se ka pritur debat në Kuvend nga ana e BDI-së kur është zgjedhur qeveria e re, por sipas tij, vetëm dy prej tyre kanë debatuar.

“Ishin Sadulla Duraku dhe Blerim Bexheti të cilët më shumë ishin qesharak se racional. Por sido që të jetë, grupi parlamentar i BDI-së është më i dobët se kurdoherë tjetër”, potencioi Taravari.

Taravari tha se “VLEN” ka shumë më tepër pozita katualisht në qeveri sesa BDI-ja në vitin 2006, 2008, 2011 dhe 2016.