Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari gjatë emisionit të sotëm në TV Kanal 5, ka folur për gjendjen shëndetësore të pacientëve në tragjedinë e Koçanit. Ai deklaroi se edhe pse kanë kaluar më shumë se një javë, asnjë pacientë nuk ka vdekur për shkak përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
“Bëhet fjalë për 190 pacientë, një pjesë tani më janë lëshuar për mjekim shtëpiak, 15 pacientë po trajtohen në spitalet tona dhe 99 të tjerë jashtë vendet në shtetet mike. Ngadalë po i rikthejmë pacientët dhe shpresoj që këto numra të zvogëlohen në ditët në vijim dhe më e rëndësishmja të mos kemi asnjë të vdekur”, tha Taravari.
Ministri Taravari, foli edhe për vendosjen e komunikimit me vendet e huaja dhe spitalet e tyre. Ai tha se është teje falënderues ndaj të gjithë mjekëve dhe personalit shëndetësor për gatishmërinë për të ndihmuar në tragjedinë e Koçanit.
“Të gjithë pacientët nga Koçani dhe Shtipi i kemi transferuar në Shkup, dhe pastaj kemi vendosur komunikim me vendet e huaja dhe gatishmëria e tyre për të ndihmuar ka qenë e madhe dhe menjëherë kemi nisur me procedurat për transferomin e tyre”, u shpreh Taravari.