Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe ASH-së, Arben Taravari ka kujtuar 35 vjetorin e demonstratave të nxënësve të shkollave të mesme të Gostivarit për të mësuar në gjuhën shqipe.
Në shkrimin e tij Taravari thekson se e kujtojmë këtë datë që histori të tilla të mos na përsëriten kurrë.
“35 vite nga demonstratat e nxënësve të shkollave të mesme të Gostivarit për të mësuar në gjuhën shqipe dhe kundër paraleleve të përziera. Tetë persona, shumica të mitur, prej të cilëve dy vajza gjashtëmbëdhjetë vjeçe, morën dënim me burg në kohëzgjatje prej mbi 52 vjet. Ata që lanë gjurmë të pashlyera për shkollim në gjuhën shqipe, ishin: Valdeta Fejzullai – Aliji (tanimë e ndjerë), Nafie Zendeli-Ziberi, Dashmir Osmani, Imberli Bekteshi, Zulqufli Dalipi, Nazif Sinani, Hajredin Kaza dhe Nuredin Aliji. Shumë pjesëmarrës të tjerë në demostratat e 4 tetorit të vitit 1988, u maltretuan dhe u larguan nga procesi arsimor. Edhe mësuesit dhe profesorët shqiptarë i detyruan që t’u flisnin maqedonisht nxënësve të tyre. Ata që kundërshtuan, u përjashtuan nga puna dhe u burgosën. Parulla kryesore “Duam shkollat shqipe”, nuk harrohet! E kujtojmë këtë datë që histori të tilla të mos na përsëriten kurrë”, shkruan Taravari në rrjetet sociale.