Taravari paralajmëron ndryshime në “Termini Im”

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka paralajmëruar ndryshime për terminët. Ai tha se po shqyrtohet mundësia e zgjerimit të programit “Termini im” ose eventualisht një dixhitalizim krejtësisht i ri.

Marketing

“Do të shohim se cili do të jetë vendimi përfundimtar. Maqedonisë patjetër i duhet që të gjitha objektet shëndetësore të jenë në të njëjtin sistem. Pra, institucionet shëndetësore private dhe publike, por edhe farmacitë dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë të bëjnë me shëndetësinë. Këtu po mendoj edhe për Fondin Shëndetësor, kështu që do të shohim, do të shqyrtojmë opsionet më të mira të mundshme”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.

Drejtoresha e Institutit të Radiologjisë. Sonja Nikollova tha se disa herë kanë dorëzuar ankesa për problemet me terminët, posaçërisht për rastet urgjente. Për të shmangur radhët e gjata, Nikollova paralajmëroi punë në dy turne.

“E dini që kemi problem me kuadrin, kemi ikje në shëndetësinë private, një pjesë e kuadrit u pensionuan. Me kuadrin ekzistues që nuk është i mjaftueshëm patjetër e kishim të bëjmë një riorganizim të brendshëm që të shkurtojmë pritjet e gjetjeve. Punohet në ndërrim të dytë, fundjavave dhe kjo është me vullnetin e mirë të njerëzve që më qëndrojnë pas”, u shpreh Sonja Nikollova, drejtoreshë e Institutit të Radiologjisë.

Gjithashtu, ministri i Shëndetësisë Taravari tha se është diskutuar për përdorimin e telemjekësisë – konsulta nga distanca. Për disa çështje, siç sqaroi Taravari, pacienti nuk duhet të vijë në klinikë, por mund të ketë një periudhë të caktuar kur mjeku të bëjë konsulta nga distanca. Nëse është e nevojshme, mjeku do ta thërrasë pacientin dhe do ta ekzaminojë fizikisht./Alsat.mk