Taravari pas vendimit të gjykatës: Partia i kthehet anëtarësisë

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka reagur në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit që shfuqizoi vendimin e Gjykatës Themelore në Tetovë.

Marketing

Sipas Taravarit, me vendimin e fundit të gjykatës, Aleanca për Shqiptarët i kthehet anëtarësisë së saj.

“Aleanca për Shqiptarët është e jona! Gjykata e Apelit vendosi që partia Aleanca për Shqiptarët i takon shumicës absolute. Partia i kthehet anëtarësisë së saj! Urime të gjithëve!”, shprehet Taravari.

Ndryshe, mbrëmë nga Aleanca për Shqiptarët u shprehën se Gjykata e Apelit në Gostivar ka kthyer në rigjykim lëndën e partisë politike Aleanca për Shqiptarët dhe ka pranuar ankesat e dorëzuara nga ana e përfaqësuesit ligjor të Arben Taravarit.

“Gjykata e Apelit e kthen lëndën në rigjykim pas vendimit paraprak që solli Gjykata Themelore në Tetovë, ku ajo zvarritej dhe u ndërruan disa gjykatës derisa u mor edhe vendimi skandaloz me presion nga ish ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, që vulat e partisë t’i takojnë fraksionit që iu bashkua BDI-së. Duke marrë parasysh dëshmitë e deponuara pranë Gjykatës së Apelit në Gostivar, vendimi final pritet që të jetë në favor tonin dhe partia së bashku me vulat të mbeten te kryetari legjitim i saj, Arben Taravari”, u shprehën nga ASH.