Taravari: Për dy javë do të publikohet lista e re pozitive me barna, që nuk është përditësuar për 15 vite

Pas dy javësh do të publikohet lista e re pozitive e barnave që nuk është përditësuar prej 15 vitesh, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.

Marketing

Ai tha se në periudhën e ardhshme prioritet është përditësimi i listës pozitive të barnave dhe si risi është zbatimi i një politike kombëtare farmaceutike me fokus të veçantë në cilësinë dhe disponueshmërinë e produkteve farmaceutike.

“Do të kemi edhe një ligj të ri për barnat me të cilin do të sigurojmë barna cilësorë në vend, por do të kërkojmë edhe përdorim racional dhe përshkrim të barnave që të ketë barna kudo, por edhe të kemi kujdes që të mos ketë abuzime me barnat”, tha sot ministri i Shëndetësisë.

Taravari gjithashtu bëri të ditur se tenderi për blerjen e kompresorëve të rinj për klinikat kirurgjikale tashmë është shpallur nga shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të klinikave.

“Në periudhën e ardhshme i kushtojmë vëmendje të veçantë rajonalizimit të shërbimeve shëndetësore dhe motivimit dhe stimulimit të mjekëve nga klinikat për të punuar në spitalet e qyteteve të tjera. Po ashtu po planifikojmë një strategji në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë për të stimuluar mjekët që të regjistrohen në specializimet e mangëta, si pediatri, anesteziologji, radiologji dhe personel tjetër me mangësi”, tha ministri Taravari.