Taravari: Sot 8 pacientë nga Shkupi lirohen për në shtëpi, nga jashtë kthehen edhe 9 pacientë

Në deklaratën e sotme për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, informoi se aktualisht në institucionet shëndetësore në Shkup janë të shtruar 22 pacientë, të gjithë në gjendje stabile dhe të mirë, nga të cilët 8 pacientë sot po lirohen për trajtim në kushte shtëpie.

Marketing

Aktualisht, 8 pacientë po trajtohen në Qendrën Klinike, nga të cilët 6 në toksikologji dhe 2 në kirurgjinë plastike, 6 pacientë në Spitalin e Vjetër të Qytetit, 5 në Spitalin “8 Shtatori” dhe 3 në Sistina.

Në shtetet e huaja për momentin janë të shtruar 91 pacientë, ndërsa sot është planifikuar të kthehen gjithsej 9 pacientë nga disa vende – Hungaria, Italia, Greqia, Serbia dhe Suedia, theksoi ministri Taravari.

Lidhur me pacientët që janë në gjendje kritike, ministri tha se disa analiza laboratorike tregojnë përmirësim krahasuar me ditët e mëparshme. Pas kthimit të pacientëve nga jashtë, duhet të ndjekim protokollet e shtabit të krizës, domethënë kryhen detyrimisht analiza toksikologjike dhe zbatohet mbikëqyrje 24-orëshe, deklaroi ministri.

Marketing