Të burgosurit tentuan ta sulmojnë Plavën: Tre të dyshuarit për vrasjen e Liridonës shpërndahen në burgje të ndryshme

Granit Plava, i dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, ka qenë cak i një tentim-sulmi gjatë qëndrimit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Marketing

Lajmin e ka konfirmuar për Nacionalen drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismajl Dibrani.

Megjithatë, drejtori Dibrani ka theksuar se në asnjë moment nuk ka pasur kontakt fizik mes të burgosurve të tjerë dhe Plavës, pasi gardianët kanë ndërhyrë menjëherë.

“Në momentin kur kanë tentuar të burgosurit me sulmu, stafi ka reaguar menjëherë dhe e ka parandaluar konfliktin. Nuk ka rrahje. Ka pasur tentim-sulm sepse është burg, dhe rasti është i ndishëm, presion i opinionit ka qenë i madh, mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik. Edhe për këtë tenim ne do të themelojmë komisionin hetimor dhe do të dalim me rezultate konkrete”, ka thënë Dibrani për Nacionalen.

Lidhur me raportimet se Plavës i është gjetur edhe një litar brenda dhomës, Dibrani e ka mohuar. Ai ka thënë se i paraburgosuri ka tentuar ta dëmtojë batanijen në dhomë, por që nuk ka pasur elemente se ai ka dashur ta lëndojë veten.

“Jo. Ka pasur një tentim nga ai i burgosur për ta dëmtuar batanijen në dhomë, në momentin që është hetuar, stafi ka arritur dhe e ka larguar batanijen nga dhoma dhe është zëvendësuar. Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim e as vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, reagimi ka qenë nga stafi. Sepse këta persona po trajtohen me rrezikshmëri të lartë. Niveli i sigurisë është ngritur”, deklaroi më tutje Ismajl Dibrani për Nacionalen.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës e ka mohuar gjithashtu se Granit Plava ka pasur mundësi të ketë kontakt me Naim Murselin e Kushtrim Kokallën.

“Në asnjë rrethanë, ka pasur informacione se kanë qenë në një dhomë. Të gjitha mediat e dinë që në Burgun e Sigurisë së Lartë, të gjitha dhomat janë 1-she, dhe nuk ka asnjë kontakt mes personave”, tha ai.

Si rezultat, tre të dyshuarit për rastin e Liridona Ademajt janë shpërndarë në burgje të ndryshme

“Për shkaqe sigurie dhe për shkaqe se rasti është i ndishëm kemi vendosur që këta persona t’i shpërndajmë në institucione të ndryshme”, përfundoi Ismajl Dibrani.

Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, u arrestuan si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Gjykata Themelore e Prishtinës të treve ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas dosjes së Prokurorisë, rastin e ka organizuar Naim Murseli, i cili ka paguar para për vrasjen e bashkëshortes. Madje, Murseli dyshohet t’ia ketë dhënë edhe armën dorasit Plava.

Marketing