Të dielën Greqia cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme në vend

Të dielën në Greqi pritet të caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Kryeministri grek Aleksis Tsipras konfirmoi lajmin menjëherë pas humbjes së pësuar në zgjedhjet parlamentare europiane të së dielës.

Marketing

Pas humbjes në zgjedhjet europiane, kryeministri grek Aleksis Tsipras deklaroi se do të kërkojë shpalljen e zgjedhjeve kombëtare. Data e zgjedhjeve do të shpallet pas 2 qershorit, kur përfundon balotazhi i zgjedhjeve për administratat rajonale dhe bashkitë.

“Menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, do t’i kërkoj Presidentit të Republikës shpalljen e zgjedhjeve. Që të jetë populli grek ai që do të marrë vendimin përfundimtar”, deklaroi Tsipras në një mesazh të drejtëpërdrejtë televiziv në orët e vona të mbrëmjes së të dielës.

Më herët, lideri i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, tha se Tsipras duhet të japë menjëherë dorëheqjen.

“Kryeministri duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Për të mirën e vendit duhet të japë dorëheqjen për të shkuar sa më shpejt që të jetë e mundur në zgjedhjet kombëtare”, deklaroi Mitsotakis pasi nisën të konfirmohen edhe zyrtarisht rezultatet e exit polleve.

Normalisht, zgjedhjet e përgjithshme në Greqi do të mbaheshin në muajin tetor, kur përfundonte mandati kushtetues i qeverisë Tsipras.

Tashmë, ato pritet të mbahen më 30 qershor, ose më 7 korrik.

“Në zgjedhjet e djeshme në Greqi kandidoi edhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, ndërkohë që më shumë se 100 mijë bashkatdhetarë kanë ushtruar të drejtën e votës, pas marrjes së nënshtetësisë greke.

Por ata kandidonin kryesisht me parti dhe koalicione të orientimit të majtë që zgjedhin një numër mjaft të vogël këshilltarësh në bashkitë dhe administratat rajonale.

Megjithatë ka shumë mundësi që disa pak prej tyre të jenë zgjedhur tashmë në këshillat e administratës rajonale, në Athinë dhe Selanik.

Por kjo do të mësohet pjesërisht të mërkurën, kur do të shpallen rezultatet përfundimtare për zonat ku nuk do të ketë balotazh”.

Marketing