Të drejtat e njeriut viktimë e kaosit juridik

10 dhjetori-Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Marketing

Të drejtat e njeriut viktimë e kaosit juridik

Në çdo shtet, pa marrë parasysh rregullimin shtetëror, gjyqësori paraqet garantin më të lartë të lirive dhe të drejtave të njeriut. Gjykatësit janë ata që duhet ta ndajnë të mirën nga e keqja, drejtësinë nga padrejtësia, ”engjujt” nga ”djajtë”, të bëjnë demontimin e proceseve të montuara, sepse ata vendosin për fatet njerëzore.

Shkruan, Suzana SALIU

Dhjetori është muaji i bilanseve, kur të gjithë pyetemi ç´kemi humb dhe ç´kemi fituar gjatë vitit, vallë i kemi hyrë në hak dikujt, a i kemi ndihmuar, a kemi mundur të bëjmë më shumë për të drejtat e njeriut. Në këtë pyetje duhet të përgjigjet sidomos shteti, përfaqësuesit e tij në institucione, që janë aty për të shërbyer në realizimin, mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve. Edhe pse nuk ka ndonjë definicion për të drejtat e njeriut, megjithatë, një mbetet i përhershëm dhe universal, që vlen në çdo kohë dhe në çdo hapësirë. Liritë dhe të drejtat e njeriut janë vetë njeriu, ato burojnë nga vetë qenia e tij njerëzore dhe shprehin personalitetin dhe dinjitetin e tij. Të drejat e njeriut dihet se ku fillojnë, që në lindje, mbase që në barkun e nënës, por nuk dihet se ku përfundojnë, sepse janë në një përparim dinamik të vazhdueshëm. Tanimë, të drejtat e njeriut kanë përparuar aqë shumë sa e drejta për qeverisje të mirë dhe e drejta për të qenë i lumtur, përcaktohen si të drejta themelore të njeriut.
Kur na shkilet ndonjë e drejtë qoftë nga ndonjë individ, nga ndonjë institucion, apo nga vetë sheti, ne ngushëllohemi me faktin se do t´i drejtohemi gjykatës. Kudo në botë, pa marrë parasysh sistemet e tyre politike, gjyqësori paraqet garantin më të lartë të lirive dhe të drejtave të njeriut. Gjykatësit janë ata që duhet ta ndajnë të mirën nga e keqja, drejtësinë nga padrejtësia, sepse vendosin për fatet e njerëzve. Është përgjegjësia më e lartë e gjyqësorit për demontimin e proceseve të montuara politike. Policia mund të inskenojë, montojë, por edhe të gabojë për raste të caktuara, por në asnjë mënyrre kjo nuk i falet gjyqësorit. Ka dyshime të thella se në burgjet e Maqedonisë së Veriut ende vuajnë dënimin viktima të proceseve të montuara.
Prandaj, arsimimi, edukumi adekuat, profesionalizmi dhe ndershmëria e gjykatësve dhe prokurorëve janë të një rëndësie të veçantë. Dhe jo vetëm kaq. Secili gjykatës duhet të pyesë veten, mos vallë ai vetë është më i keq se njeriu që e gjykon dhe e dënon. Një gjykatës i mirë dhe i drejtë jo vetëm që duhet të jetë njohës dhe zbatues i mirë i ligjeve por, edhe të ndajë me njerëzit të cilët vuajnë dhimbjen e tyre, e mbi të gjitha, ta pranojë barrën që ia ka ngarkuar besimi i tyre (Fatos Tarifa dhe Monica Di Monte).
Por, pse pikërisht kaq shumë për gjyqësorin me rastin e 10 Dhjetorit-Ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Sepse, vitit 2019 në Republikën e Maqedonisë së Veriut i dhanë vulë pikërisht ngjarjet që po ndodhin në gjyqësor. Periudha kur mbi kokat tona u shemb ,,perendesha e drejtësise,, simboli i shpresës, se më në fund do të sundojë e drejta dhe drejtësia, edhe te ne. Afera e njohur ,,zhvatja,, jo vetëm që ka dëmtuar në skajshmëri besueshmërinë dhe autorietin e gjyqësorit, si brenda, ashtu edhe jashtë, por, ka ,,rjepë,, edhe shpirtin dhe ndjenjat e qytetarëve. Tani, qytetari ynë, me të drejtë pyetet, nga t’ia mbajë, e nga t’ia mbathë. Ku, përtej gjyqësorit.
Është fatkeqësi për një shtet nëse qytetarët e tij dhe opinioni i gjërë janë të bindur se pikërisht gjykatësit dhe prokurorët janë shkelësit më të mëdhenj të lirive dhe të drejtave të tyre. Përse një vlerësim dhe një bindje e tillë edhe përkundër një kushtetute solide, ligjeve dhe standardeve të mira ndërkombëtare. Edhe dispozitën me të keqe, një gjykatës i mirë mund ta bëjë fleksibël. Është fryma e ligjit ajo që e mban drejtësinë gjallë. Nuk ka reformë, nuk ka veting, e as formulë, e çfarë do lloji qoftë, që mund ta ndryshojë situatën në gjyqësorin tonë, derisa ndershmëria, integriteti dhe profesionalizmi i kanidatëve nuk përcaktohet si kriter i vetëm dhe kryesor. Një periudhë kam qenë pjesë e gjyqësorit dhe jam në anën e atyre që besojnë se edhe në vendin tonë ka njerëz të mirë që mund t’i dalin zot kësaj besueshmërie sublime, të thirrur për të ndarë drejtësinë. Mjerë ai shtet që mendon se në mesin e pollatatës së tij nuk ka njerëz të mençur e të urtë.
Gjatë këtij viti të gjithë ishim dëshmitarë për raportime spektakulare për punën e prokurorive dhe gjykatave. Është e kuptueshme kërshëria e opinionit për luftën kundër krimit dhe korrupcionit, por duket jo normale ’’afshi’’ dhe dinamika kaotike për të informuar për këto procese, se çka tha politikani, çka tha prokurori, çka avokati, çka analisti, e çka i akuzuari, për një çështje penalo-juridike. Aq shumë, dhe me aq kaos është raportuar dhe informuar për këta aktorë të involvuar, sa qytetari i thjeshtë tanimë nuk e ka të qartë, se ku është krimi, kush është krimineli, kush gjykatësi, kush prokurori, kush politikani, e kush viktima. Presumimi pafajësisë po shkilet deri në atë shkallë që askush nuk mban përgjegjësi për turpërimin dhe nënçmimin publik që u bëhet personave të caktuar. Në një kaos të këtillë juridik, të drejtat e njeriut, jo vetëm që janë të ngulfatura, të humbura, por edhe viktima kryesore.
Edhe në këtë përvjetor, në Maqedoninë e Veriut, fitorja më e madhe e lirive dhe të drejtave të njeriut mbetet institucioni i Avokatit të popullit, i cili mbetet një derë e hapur dhe një mekanizëm shumë i fortë në duart e qytetarëve, për tu ankuar kundër organeve shtetërore, pa kurfarë dallimi e diskriminimi. E drejta e qytetarit për tu ankuar para një institucioni të pavarur, gjithashtu sanksionohet si e drejtë themelore e njeriut.
Në shoqëritë ku sundon e drejta dhe drejtësia, ka diçka që qëndron mbi ligjin, mbi kushtetutën, mbi konventat, dhe mbi të gjithë ne, e ato janë të drejtat e njeriut.

(Autorja është Zëvendëse e Avokatit të popullit)

Marketing