Dhomat e Specializuara të prokurorisë në Hagë, me gjasë të madhe gjatë muajit dhjetor veç do të nisin me ngritjen e aktakuzave të para.Si pjesë e punës për sigurimin e terrenit, hetuesit e Speciales, si dhe zyrtarë të saj gjatë këtij muaji kanë nisur me marrjen e pasaportave për personat që u intervistuan në cilësinë e të dyshuarve, dhe që ndaj tyre në të ardhmen me gjasë të madhe do të ketë aktakuzë.
I gjithë ky veprim nga Specialja, po bëhet në atë formë që për të akuzuarit e mundshëm të rregullohen vizat për në Holandë, ku edhe e ka selinë kjo prokurori.
Forma e cila është zgjedhur nga Specialja, është që të ftuarve t’u merren pasaportat dhe e gjithë procedura përmes ambasadës të rregullohet nga zyrtarët apo punonjësit e kësaj Prokurorie.
Këtë e thotë për lajmi.net edhe nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, e që sipas tij edhe vetë Specialja po ka problem me çështjen e rregullimit të vizave.
“Çështja e pasaportave është se të ftuarve ua kanë marrë pasaportat për ta rregulluar punën e vizave. Pra disave ua kanë marrë, e disave po ua rregullojnë përmes disa ambasadave tjera, ngase edhe këta po kanë problem për zgjidhjen e çështjes së vizave”, ka thënë Haradinaj për lajmi.net.
Në opinion ishte përmendur shumë edhe çështja e arrestimeve të të dyshuarve, për të cilën Haradinaj thotë se informacionin e kanë marrë nga avokatët e huaj.
Sidoqoftë, në bazë të asaj që deri tani dihet, nuk pritet të ketë arrestime “spektakolare”, të cilat do të shkaktonin reagime në publik.
Të dyshuarit pritet të udhëtojnë drejtë selisë në Hagë, dhe në bazë të kërkesës së Prokurorisë ata do të qëndrojnë në paraburgim.
Nga ana tjetër, avokati i akredituar nga Specialja, Teki Bokshi thotë për lajmi.net se vetë shteti i Holandës në bazë të marrëveshjes e ka për detyrim thjeshtësimin e procedurave të vizave.
“Në bazë të marrëveshjes së arritur me Dhomat e Specializuara të Prokurorisë, Holanda e ka për detyrim thjeshtësimin e procedurës së vizave, dhe në këtë aspekt nuk besoj se mund të ketë problem”, thotë ai.
Ndryshe nga Haradinaj, Bokshi thotë se asnjëri nga klientët e tij, nuk ka pasur probleme me sigurimin e vizave.
Specialja deri më tani konsiderohet se në Hagë për intervistim ka ftuar gjithësej mbi 250 persona.
Ndër figurat e larta politike që u ftua së fundmi është edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Ai do të paraqitet më 4 dhjetor për intervistim para dhomave të Specializuara të Prokurorisë.