Të largohet “njolla e zezë” nga policia sekrete

OZNA, UDBA, DBK, ASK (Agjencia për Siguri Kombëtare). Gjatë dekadave, shërbimi sekret është emëruar disa herë me emra të ndryshëm, por perceptimi i qytetarëve ndaj tij çdo herë është parë me syrin e një organizate, e cila përgjon bisedat telefonike, shkelë të drejtat fundamentale të njeriut dhe shfrytëzohet si instrument për qëllime politike, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Ndryshimet e reja ligjore, të cilat pritet të reformojnë shërbimin sekret, parashohin të formohet Agjencisë e re për Siguri Kombëtare (ASK), si organ i cili do të zëvendësojë Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) dhe i njëjti do të veprojë si organ i veçantë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), me kontroll të përforcuar civile. Fillimi i debatit publik për këto ndryshime të propozuara janë karakterizuar me një numër të madh të vërejtjeve të ekspertëve, të cilët kanë për qëllim që reforma të mos jetë vetëm kozmetike në DSK.

Ekspertët po ashtu kërkojnë që me këto ndryshime, të parashihen norma me të cilat do të mënjanohen të gjitha mundësitë për keqpërdorim të fuqisë dhe ndikimit, siç janë mangësitë në kontrollin e brendshëm dhe afatet e shkurta kohore për realizimin e reformave. ASK do të ketë drejtor, të cilin e propozon Qeveria dhe kjo është në kompetencë të kryeministrit. Por, a e bënë kjo kryeministrin edhe më të fuqishëm?

Hasim Murtezani, magjistër i shkencave të sigurisë, thotë se formimi i ASK-së vjen si rezultat i përpjekjes që organet dhe institucionet apo agjencitë e sigurisë të mos kontrollohen nga ana e strukturave politike.

“Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, përveç rolit ligjor që kishte – ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ajo njëkohësisht ka qenë vatra dhe bastioni i cili i ka shërbyer dhe për keqpërdorime politike dhe qërim hesapesh me oponentët dhe figurat e caktuara të vendosura në shënjestër. Pikërisht për shkak se drejtori që menaxhon me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim ishte në mbikëqyrje dhe në pranim urdhrash nga eprori i tij, në këtë rast ministri si person politik i vendosur nga partia, kjo drejtori humbi në tërësi rolin dhe objektivin e caktuar kushtetues dhe po e njëjta drejtori u shndërrua në një ‘pronë private’ nga ku u hartonin planet ogurzeza. Prandaj, me reformimin e ri ku DSK do shndërrohet në Agjenci për Siguri Kombëtare si institucion i pavarur nga ministri, konstatoj se shërbimet në këtë agjenci në luajtjen e rolit dhe synimeve ligjore do jenë shumë më profesionale dhe cilësore”, deklaroi për gazetën KOHA, Hasim Murtezani, ekspert sigurie.

Sipas tij, që në fillim të themelimit të Agjencisë duhet të vendosen kritere se si do të bëhet përzgjedhja e kuadrit i cili do të inkuadrohet në të.

“Njëra nga arsyet kyçe në dështimin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim ishte pikërisht futja nëpër vende pune të njerëzve tejet të papërshtatshëm dhe jokompetent në realizim e detyrave të caktuara. Dhe si përfundim, po qe se në këtë Agjenci nuk vendosen njerëzit e duhur në vendin e duhur, do të kemi vetëm shpenzime shtesë në formim të institucioneve shtesë pa reformuar të kaluarën dhe përmirësuar të ardhmen e shërbimit”, thekson Murtezani.

Përndryshe, mbi reformat në shërbimin sekret, vërejtjet e tyre i kanë dhënë edhe partitë politike opozitare shqiptare. Aleanca për Shqiptarët (ASH), midis tjerash ka edhe vërejtje për emërtimin e kësaj Agjencie dhe kërkon që ajo të quhet Agjencia Shtetërore për Siguri, e jo siç propozohet Agjencia për Siguri Kombëtare. (koha.mk)

Marketing