Dy dekada pas masakrës së Dubravës, në burgun ku ndodhi ky krim, rrëfejnë ata që shpëtuan. Pesë ditët e tmerrit, të mbijetuarit i kanë të freskëta në kujtesën e tyre. Dhimbja është e madhe për humbjen e familjarëve e shokëve.
Dy dekada pas masakrës në Burgun e Dubravës, t’u mblodhën edhe një herë, pikërisht në vendin ku përjetuan tmerrin pesëditor. Dëshmitarët e gjallë të kësaj masakre, ende e kanë trishtimin e freskët.
“Mua më kanë vendosur në Pavilonin C, i cili është bombarduar nga NATO më 19 maj. Fatkeqësisht aty kanë gjetur vdekjen tre të burgosur dhe disa të tjerë janë plagosur. Më pas kemi thyer dyert e burgut, disa vetë e disa kanë ardhur të burgosurit shqiptarë nga pavilonet tjera dhe na kanë haur dyert e kemi dalë jashtë. Data 20 ka qenë e qetë. Nuk ka pasur bombardime as nga NATO e as nga serbët. Ne kemi mbetur në oborr të burgut pa gardian brenda. Me datë 21 NATO përsëri ka gjuajtur caqet në burgun e Dubravës”, rrëfen për RTV Dukagjinin, Sadik Zeqiri.
I mbijetuari i këtij tmerri tregon se si arriti t’i shpëtoj masakrës së 22 majit ku mbeten të vrarë mbi 100 të burgosur.
“Mëngjesin e datës 22 maj kemi qenë duke fjetur në oborr. Policia dhe gardianët serb nga pika vrojtuese na kanë kërkuar që të rreshtohemi dhe të na japim disa informacione se gjoja këtu më nuk ka kushte për të qëndruar. Ne jemi bërë rresht. Ata menjëherë kanë filluar të gjuajnë nga pika vrojtuese dhe nga disa vrima që kishin hapur në mure. Ne nuk dinim asgjë çfarë po ndodhte. Mbi trupat tonë është gjuajtur me armë, me zolla, me bomba, me minahedhës. Ne disa zhagas jemi larguar deri në pjesën e poshtme dhe ia ka arritur qëllimit të shpëtoj përkohësisht së paku. Unë jam plagosur, ndërsa kënd e kanë gjetur të plagosur e kanë vrarë menjëherë”, tregon më tej Sadik Zeqiri.
Dy dekada më pare të burgosur ishin edhe Hil Kqira dhe vëllain tij Sef Kqira. Ai tregon se si ju vra i vëllai 26 vjeçar nga forcat serbe.
“Kanë qenë momente shumë të tmerrshme. Askush nuk e kemi ditur se do të mbijetojmë. Vëllai është vrarë me 23 maj. Kanë hyrë gardianët me rroba ushtarake, policore, kishte me maska e pa maska dhe i kanë vrarë ata”, tha Hil Kqira.
Kqira thotë se drejtësia mund të ju lehtësoj dhimbjen por nuk është i kënaqur me atë që ka bërë shteti.
“Prej serbëve nuk kemi pritur diçka më të mirë. Tash që 20 vite që nuk është dënuar askush nga ata që kanë bërë masakrën dhe për ne të mbijetuarit asgjë nuk kanë bërë”, tha ndër të tjera Hil Kqira.
Mes 19-24 majit të vitit 1999, u vranë 160 persona të pambrojtur nga askush, ndërsa qindra të tjerë mbetën të plagosur. /Telegrafi/