Të pafuqishëm kundër bixhozit

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë vazhdon ta bllokojë Ligjin për bixhozin, edhe pse të gjitha partitë tjerë tashmë janë pajtuar për ndryshimet që duhet të pësojë ligji. Në koalicionin qeveritar konfirmojnë se LSDM ngurron të mbështet ndryshimet ligjore të propozuara nga BDI, ndërsa dyshohet se njerëz të afërt me partinë e kryeministrit Zoran Zaev, por edhe me ata të VMRO-së, kanë në pronësi numrin më të madh të kazinove dhe bastoreve në vend, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Ka tre muaj që ndryshimet ligjore tashmë janë gati, por që të njëjtat presin dritën jeshile nga LSDM. Në ndërkohë, BDI, PDSH, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA janë pajtuar tashmë me ndryshimet e reja ligjore, ndërkohë që VMRO nuk është prononcuar akoma. Bëhet fjalë për ndryshime ligjore që parashohin dislokimin, apo të mos ketë qendra bixhozi në largësi 1000 metra nga institucionet publike (shkolla, komuna, sheshe, institucione fetare…). Në ndërkohë, në një vit, bastoret dhe kazinotë fitojnë rreth 240 milionë euro, duke u varfëruar qytetarët. Një matematikë e thjeshtë tregon se, nga rreth 600 mijë amvisëri që ka Maqedonia e Veriut, çdo familje harxhon në mesatare nga 400 euro në vit për baste dhe bixhoz. Të dhënat zyrtare tregojnë se, nga shuma prej 240 milionë euro, bastoret dhe kazinotë fitojnë rreth 196 milionë euro, ndërsa tatimet që i shkojnë shtetit arrijnë në 43 milionë euro.

“Ligji është bllokuar, pasi LSDM ngurron të jap mbështetje. Dyshojmë se njerëz të afërt me zyrtarët e LSDM-së, por edhe me ata të VMRO-së, kanë gisht në hapjen kaq në numër të kazinove dhe bastoreve. Mjafton të shihen pronarët ku janë hapur këto qendra bixhozi dhe gjithçka është e kuptueshme”, thonë deputetët shqiptarë, ndërsa sigurojnë se nuk do të lëvizin nga propozim-ligji në fjalë. Në LSDM ndërkohë askush nuk pranon të prononcohet se pse po zvarritet Ligji për lojërat e fatit, ndërsa shkurt thonë se do të ketë debat publik dhe se i njëjti po shqyrtohet.

Lëvizja Antibixhoz me qendër në Tetovë ka takuar tashmë pothuajse të gjithë liderët politik, por se përgjigje konkrete nuk ka marrë nga kryeministri Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski. Fillimisht, kjo Lëvizje kërkoi që bastoret dhe kazinotë të largohen 3000 metra nga institucionet publike, por në Parlament thonë se propozim-ligji që parasheh 1000 metra vijë horizontale, do të thotë që në vendbanimet e brendshme, asnjë qendër bixhozi të mos ketë.

Tetova, Shkupi, Strumica e Gjevgjelia janë qendrat më të mëdha të bixhozit në vend, ndërsa nuk mbetet anash edhe Kumanova dhe vendbanimet tjera. Dy-tre hapa afër shkollave, shesheve dhe institucioneve fetare – kazino dhe bastore ka sa të duash. Dhe gjithmonë me plot hallexhinj brenda. “Është e tmerrshme kjo që po na ndodhë. Jemi shndërruar në bixhozxhinj. Kemi frikë se edhe fëmijët që në moshë të vegjël do futen në pika basti. Realisht, çdo ditë shohim kur fëmijë futen brenda dhe shohin çfarë po ndodhë”, thotë Agimi nga Tetova, ndërsa tregon se në bastore mund të takosh njerëz të të gjitha moshave, por që kryesisht vijnë nga familje sociale dhe me kushte të rënda ekonomike.

Ndryshe, Shqipëria ishte shteti i parë në rajon që mbylli tërësisht bastoret, ndërsa miratoi ligjin që dislokon kazinotë nga vendbanimet dhe institucionet publike. Më shumë se 3500 pika basti u mbyllën nga 1 janari, ndërsa kazinotë – disa u dislokuan jashtë vendbanimeve, e disa u mbyllën tërësisht. Kosova po ndjek një hap të tillë, edhe pse pak më të butë se Shqipëria. Në Kosovën fqinje tashmë pikat e basteve kanë filluar të mendojnë për gjetjen e hapësirave jashtë vendbanimeve, ndërsa në Maqedoni, përkundër vafrërisë së madhe, partia maqedonase në pushtet mendon për qindra të punësuar në këto bastore dhe jo për qindra mijëra familje që thellohen edhe më shumë në humbje. (koha.mk)

Marketing