Të punësuarit në zyrën e Avokatit të popullit përmes një proteste paqësore kërkojnë ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Avokatin e Popullit, të përjashtohen nga Ligji për nëpunësit administrativ, pavarësi financiare dhe paga më të larta. Çdo institucion i Avokatit të Popullit në botë, duke përfshirë edhe Avokatin e Popullit në vendin tonë, duhet të jetë i pavarur dhe plotësisht i ndarë nga institucionet ndaj të cilave ndërmerr veprime për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, gjë që nuk ndodh në vendin tonë, u tha në protestë.
“Theksoj se në bazë të kompetencave tona, të punësuarit tek Avokati i Popullit çdo ditë punojnë me të dhëna personale të qytetarëve ,informata të klasifikuara, kanë kontakte ditore me të gjitha kategoritë e qytetarëve, posaçërisht grupet e rrezikuara, kryejnë mbikëqyrje në institucione të ndryshme që gjithsesi se është arsye që ata të kenë një rritje të pagave të cilën e kanë disa subjekte në vend të cilët nuk kanë as afërsisht kompetenca të tilla.”, – theksoi Marijan Ponjaviq nga Organizata Sindikale tek institucioni Avokati i Popullit.
“Me vite e presim ligjin e veçantë për shërbimet, me vite jemi të injoruar nga pushteti. Nuk mundet që me këtë problematikë të punëve t’i kenë këto paga. Kolegu tregoi se në vitin 1998 lartësia e pagave ka qenë në një nivel me pagat e gjykatësve dhe kjo nuk është për t’u habitur, sepse këto vendime që sillen janë vendime pas ankesave dhe mund të thuhet se puna e zyrtarëve të Avokatit të Popullit është e njëjjtë me ato të gjykatësve në gjykatat themelore.”, – u shpreh Tërpe Deanovski nga Sindikata e punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve të RMV-së.
Duke pasur parasysh se procedura për propozim ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit ka ngecur në Kuvend, për ditën e premte u paralajmërua protesta më e madhe para Kuvendit, ku përveç të punësuarve në zyrën e Avokatit të Popullit do të marrin pjesë edhe të punësuarit në prokuroritë publike, policinë gjyqësore dhe shërbimet profesionale të Fondit për sigurim shëndetësor.