Të rinjtë skeptikë për Gjykatën Speciale

Kush do të merret me krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe pse duhet besuar që Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë do t’i ndriçojë këto krime edhe pas misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të Bashkimit Evropian?

Marketing

Këto janë pyetje, të cilat të rinjtë nga bashkësia shqiptare ia kanë bërë zyrtarëve të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar në Kosovë, që njihen si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, gjatë diskutimeve në Prishtinë, lidhur me mandatin dhe punën e kësaj gjykate.

Të rinjtë në Kosovë e shohin me skepticizëm dhe mosbesim Gjykatën Speciale për krime të luftës. Përderisa të rinjtë shqiptarë konsiderojnë që kjo gjykatë është raciste dhe se do të merret vetëm me shqiptarët e Kosovës, në anën tjetër, të rinjtë serbë konsiderojnë që rëndësia dhe relevanca i kanë humbur kësaj gjykate që në momentin që ajo është quajtur ‘gjykatë e Kosovës’.

Zyrtarët e Dhomave të Specializuara, gjatë këtij viti, në çdo muaj kanë qëndruar në Kosovë dhe ngjashëm ka ndodhur edhe në vitin 2018. Përmes programit për komunikim dhe përafrim me opinionin, të quajtur „Outreach“, zyrtarët e Gjykatës Speciale kanë për qëllim që me konsultime, tribuna dhe diskutime publike, të informojnë opinionin e Kosovës për punën e gjykatës.

Gjatë kësaj jave mbajtur një varg diskutimesh të tilla me studentët shqiptarë, në afërsi të Prishtnë dhe me studentët serbë në Mitrovicën e Veriut.

Pyetjet dhe komentet e tyre lidhur me Gjykatën Speciale janë të ndryshme.

Në qoftë se kjo gjykatë është e Kosovës, atëherë pse është dashur ta ketë selinë në Hagë? Çfarë mund të pritet nga Gjykata Speciale kur as misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe as misioni i BE-së në Kosovë (EULEX) nuk kanë kontribuuar për ndriqimin e krimeve të luftës? A do të gjykohen vetëm shqiptarët e Kosovës apo të gjithë qytetarët , si dhe kush do të përgjigjet për masakrat në Reçak, Prekaz, për vrasjen e familjes së Adem Jasharit?

Këto kanë qenë disa nga pyetjet e studentëve shqiptarë ndaj zyrtarëve të Dhomave të Specializuara.

Pyetje të ngjashme ka bërë edhe Jeton Kiçina, student në kolegjin Universum.

“A do të merret gjykata edhe me krimet ndaj shqiptarëve? Unë kësaj gjykate nuk i besoj dhe mendoj që bëhet fjalë për politikë. A do të jenë edhe serbët objekt i hetimit? Kjo është gjykatë raciste. Kemi pasur UNMIK-un, EULEX-in dhe nuk kanë bërë asgjë për krimet e luftës. Kosova e ka formuar këtë gjykatë sepse ka qenë e detyruar. Unë e dëshiroj drejtësinë, pavarësisht se a bëhet fjalë për shqiptarë apo për serbë. Por, nuk është në rregull që të dënohen vetëm shqiptarët. Deri më tash janë ftuar për intervistime vetëm shqiptarët dhe asnjë serb. Kush do të përgjigjet për krimet në burgun e Dubravës?“, ka thënë Kiçina.

Zyrtarët e Dhomave të Specializuara, kryesisht nuk kanë mundur të ofrojnë përgjigje lidhur me çshtjen e hetimeve, duke theksuar se kjo është në domenin e prokurorit.

Ndërkaq, pyetjet e studentëve serbë të Mitrovicës së Veriut kishin të bëjnë me atë se: pse gjykata në Hagë nuk është ndërkombëtare, por e Kosovës; çfarë nevojitet të bëjnë familjet e viktimave të luftës, në mënyrë që të janë pjesë e prcedurës gjyqësore; a do të ndiqen pjestarët e UÇK-së, të cilët gjatë kohës së konfliktit kanë pasur shtetësi të huaj; a ekziston bashkëpunimi i kësaj gjykate me Prokurorinë e Serbisë; a do të jetë objekt i hetimit Albin Kurti, si bashkëpunëtor i Adem Demaçit: si dhe a mund të mbrohet dikush pranë gjykatës me faktin që emri nuk i figuron në raportin e senatorit Dick Marty.

“Në momentin që rangu i një gjykate të tillë, të caktuar për krime lufte, lëshohet në nivelin nacional ose në nivelin para-nacional kur bëhet fjalë për Kosovën, në mënyrë automatike, në sytë e publikut, e humbur rëndësinë, vlerën, relevancën e kësaj gjykate. Në fakt, sa do të krijojë përshtypje serioze në opinion një gjykatë e tillë? Të mos flasim për atë që ndoshta do të ketë drejtësi hibride, të cilën do ta krijojë një staf i tillë hibrid“, ka komentuar sudenti serb, Milosh Damjanoviq.

Zyrtarët e Gjykatës Speciale kanë sqaruar se kjo gjykatë ka kompetencë mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe veprat tjera penale sipas ligjeve të Kosovës, të cilat ndërlidhen me pretendimet në raportin e senatorit Dick Marty. Gjithashtu, sipas tyre, ekziston edhe kategoria „krim kundër zbatimit të drejtësisë“, i cili ka të bëjë me krimet që janë bërë gjatë proceseve gjyqësore, sikurse shkatërrimi i provave, frikësimi i dëshmitarëve dhe të tjera.

Bisedimet e BE-së me Kosovën kanë rezultuar me atë që gjykata të jetë e Kosovës, por me staf ndërkombëtar, ndërkaq që selia e saj të jetë në Hagë është vendosur për shkak të natyrës së ndjeshme, ka thënë Michael Doyle, koordinatore e programit “Outreach“.

Gjithashtu, ajo ka shprehur bindjen që Gjykata Speciale do të punojë në bazë të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Bazuar në ligj, Prokuroria dhe Dhomat e Specializuara mund të hyjnë në marrëveshje bilaterale me shtete ose organizata, për të bashkëpunuar.

Megjithatë, zyrtarët e Dhomave të Specializuara nuk kanë mundur të ofrojnë informacione për hetimet dhe aktakuzat e mundshme, por Solene Moutier nga programi “Outreach” ka sqaruar që merren parasysh katër elemente kur bëhet fjalë për hetimet dhe gjykimet pranë kësaj gjykate: çfarë krimi është, kur është kryer, ku dhe kush e ka kryer krimin dhe kush ka qenë viktima.

Siç ka theksuar ajo, parasysh merren krimet që janë kryer ose që kanë nisur në Kosovë, në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Gjykata ka juridiksion mbi ata që kanë kryer krime ose që kanë qenë viktima të krimeve, por që kanë qenë shtetas të Kosovës ose të ish-Jugosllavisë. Kjo vlen edhe për ata që aktualisht kanë shtetësi të ndonjë shteti tjetër.

Gjykata e mundëson edhe pjesëmarrjen e viktimave në proces, por vetëm atëherë kur aktakuzat të bëhen publike. Kushdo që dëshiron të jetë pjesë e procesit, duhet të japë prova që po i vuan pasojat e caktuara, për të cilat ka kontribuuar krimi nga akatakuza.

Gjithashtu, është theksuar që gjykata do të ndjekë individët dhe jo organizatat ose të ngjashme. Moutier ka deklaruar që mbrotja e dëshmitarëve është një nga prioritetet kryesore të gjykatës.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, ka thënë për Radion Evropa e lirë që zyrtarët e këtyre dhumave, deri më tash janë takuar me të rinjtë, studentët, avokatët, shoqatat e viktimave, shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare, në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Bazuar në bisedimet dhe debatet e deritashme, Griep thekson që te të gjitha anët ekziston brengosja lidhur me gjykatën.

“Disa konsiderojnë që gjykata nuk është e drejtë, disa janë të brengosur se nuk do të arrihet drejtësia për të gjitha viktimat, për shkak se mandati ynë është i kufizuar. Mendoj që zëra kritik ka në të gjitha anët, gjë që është edhe e drejtë. Por, ajo që po bëjmë është që njerëzit dëshirojnë të marrin informacione, pavarësisht se çfarë mendojnë për gjykatën. Deri më tash, shumica kanë treguar gatishmëri që të takohen me ne“, theksoi Griep.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara „të pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politik“ që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Prokuroria e Specializuar në Hagë, që nga janari i këtij viti është duke intervistuar ish-pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e të dyshuarve dhe në cilësinë e dëshmitarëve. Aktakuza ende nuk ka. /Rel