Të shtunën mblidhet Këshilli i Sigurisë, vendoset për gjendjen e jashtëzakonshme

Qeveria deri në fund të javës do të vendosë nëse do të kërkojë vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Marketing

Nga gjendja e jashtëzakonshme varet edhe data e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa kryeministri, Oliver Spasovski, ka thënë se do të respektojë kushtetutën dhe zgjedhjet do të mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Por, ministri i brendshëm, Naqe Çulev, ka deklaruar se nëse caktohet data e zgjedhjeve do të hapen edhe kufijtë e vendit.

“Nëse faktorët politikë sjellin vendim për zgjedhje parlamentare, atëherë është e domosdoshme që të hapen kufijtë, ndryshe do të kem zgjedhje jolegjitime, patjetër të vijnë vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it, po ashtu edhe një pjesë e atyre që kanë shtetësi dhe ndodhen jashtë vendit do të dëshironin të vijnë për të votuar, prandaj Komisioni për Sëmundje Infektive patjetër të caktojë protokolle të qarta si do të votohet dhe çfarë do të ndodh me personat që ndodhen në vetizolim, apo në karantinë shtetërore.”,- deklaroi Naqe Çulev nga MPB.

Kryeministri, Oliver Spasovski, ka thënë se pret që vendet e rajonit të arrijnë së shpejti marrëveshje për hapjen e kufijve.

Derisa ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka paralajmëruar se është e mundur që kufijtë të hapen më 15 qershor.

Data ende nuk është caktuar, por konsultimet me vendet fqinje, Shqipërinë, Kosovën, Bullgarinë dhe Greqinë, janë duke u zhvilluar, ka bërë të ditur Filipçe.