Të shtunën protesta kundër Marrëveshjes së Prespës në Selanik

Kundër Marrëveshjes së Prespës, në mënyrë paqësore dhe të vendosur, pa karakteristika partiake dhe pa fjalime, organizatat greke të diasporës dhe “Komisionet për Luftë për Maqedoninë” i thërrasin grekët të shtunën, në orën 19 të dalin në protestë në Selanik, gjatë hapjes së Panairit Ndërkombëtar.

Marketing

“Të gjithë me flamuj grekë në dorë, ejani të mbushim Selanikun me rastin e pranisë së kryeministrit Cipras në hapjen e Panairit Ndërkombëtar. Tubimi i prek të gjithë grekët, sepse nuk duhet të lejohet sllavenizmi i helenizmit maqedonas që çon në devijimin e territoreve greke”, shkruajnë organizatorët në njoftim.

Organizatorët janë të njëjtët që organizuan edhe protestat në Selanik dhe në Athinë, në janar dhe në shkurt të këtij viti. Paralelisht, ata gjithashtu bënë edhe një videoklip, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“Maqedonia nuk po heq dorë. Maqedonasit nuk nënshkruan asgjë. Marrëveshja e Prespës është e pavlefshme”, thonë organizatorët, përmes një video thirrje për protestë.

Janë duke u organizuar edhe autobusë nga disa qytete për ata që duan të marrin pjesë në protesta, ndërsa çmimet e biletave do të jenë nga pesë deri në 25 euro në varësi të largësisë së qytetit.

Fundjavën e ardhshme, vëmendja e publikut grek do të drejtohet drejt Selanikut, ku çdo vit, në hapjen e panairit tradicional ndërkombëtar, kryeministri i vendit e prezanton axhendën dhe politikën e qeverisë për periudhën e ardhshme, ndërsa një ditë më vonë kryeministri i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në një konferencë shtypi.

Përveç protestave ndaj Marrëveshjes së Prespës, demonstrata kundër politikës qeveritare paralajmërojnë edhe sindikatat greke.

Për të shmangur dhe për të parandaluar ndonjë problem apo incident, çdo vit, një numër i madh i forcave të policisë stacionohen në Selanik, por tani, sipas mediave greke, ky numër do të jetë më i madh në krahasim me vitin e kaluar. Ndoshta më shumë se 3,500 policë nga disa qytete greke do të kujdesen për sigurinë në Selanik.

Marketing