Telashe për Biden, thellohen hetimet kundër djalit të tij, Hunter

Departamenti i Drejtësisë në SHBA thellon hetimet ndaj Hunter Biden duke shtuar telashet për Presidentin në prag të zgjedhjeve të vitit 2024. Një prokuror i posaçëm u emërua për ndjekjen e çështjes, ku djali i Presidentit amerikan akuzohet për evazion fiskal dhe zotërim të paligjshëm armësh.

Marketing

Telashe në horizont për presidentin amerikan Joe Biden. Prokurori i përgjithshëm Merrick Garland njoftoi emërimin e një prokurori të posaçëm në rastin kundër Hunter Biden, duke thelluar hetimet ndaj djalit të presidentit, në prag të zgjedhjeve të vitit 2024.

Garland tha të premten se do të emërojë prokurorin David Weiss, nga shteti Dellauer, i cili po heton aktualisht aktivitetet financiare dhe tregtare të djalit të Biden.

“Është në interesin publik ta emëroj atë si prokuror të posaçëm. Djali i presidentit është akuzuar për mosshlyerje të mbi 200 mijë dollarë taksa, ndaj më shumë se 1.5 milionë dollarë të ardhura në vitet 2017 dhe 2018 dhe për zotërim të paligjshëm të armëve të zjarrit, në një kohë kur ishte i varur nga droga”, tha prokurori Merrick Garland.

Muajin e kaluar Hunter pritej të deklarohej fajtor ndaj dy akuzave lidhur me taksat dhe në këmbim nuk do të përballej me burg për akuzën për armët. Por ujdia mes Departamentit të Drejtësisë dhe Hunter Biden, u prish në momentet e fundit.

Gjykatësi i zonës, e cilësoi marrëveshjen të turbullt dhe jo të qartë. Djali i presidentit u deklarua i pafajshëm, dhe pavarësisht negociatave të vazhdueshme mes të dyja palëve bisedimet ngecën.

“Emërimi i z. Weiss përforcon angazhimin e departamentit ndaj popullit amerikan, për pavarësi dhe përgjegjësi në çështje të ndjeshme”, tha prokurori.

Çështje kundër Hunter Biden ka debate të shumta politike në vend, me republikanët që pretendojnë se ai po ja hedh paq, për shkak të babait të tij president. Zhvillimi I fundit, pritet të nxisë edhe më shumë ndasitë politike.

Emërimi i prokurorit të posaçëm vjen po ashtu, teksa ligjvënësit republikanë po përgatisin një hetim për bizneset e Hunter Biden-it. Republikanët po hasin vështirësi për të gjetur lidhje mes veprimeve të djalit me babain e tij, dhe deri tani nuk kanë qenë në gjendje të paraqesin prova për ndonjë shkelje.