Tema e shamisë si paradoks

Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

Marketing

Në lidhje me debatin për mbajtjen e shamisë në shkollat e Kosovës, pa ndonjë prirje tifozerike, dua t’i kujtoj disa gjëra:

1. Nëse Albin Kurti ka premtuar se do ta heqë udhëzimin administrativ për ndalimin e shamisë në shkolla (ndërsa këtë e ka bërë tërthorazi duke thënë se “si mund t’i ndalohet shkolla një vajze për shkak të veshjes së saj?”), këtë e ka detyrim politik ndaj votuesve të tij, pavarësisht bindjeve të tij personale dhe presionit të njerëzve përreth tij. Ndryshe e humb besueshmërinë te votuesit për t’i besuar edhe për tema të tjera bile.

2. Në Maqedoni të Veriut që nga viti 1991 vajzat shkojnë në shkollë edhe me shami dhe ne as nuk u bëmë arabë e as nuk u deshqiptarizuam. Jemi ata që ishim. Ajo që ka degraduar nuk është pozita e gruas, por gjendja e arsimit.

3. Në botën perëndimore, në emër të vlerave liberale, kjo është temë e ezauruar dhe askush nuk e shtron bile më.

4. Për fat të keq, komuniteti mysliman shqiptar ka mbetur te tema e shamisë (dhe mësim-besimit) sikur ajo të jetë çështja më e rëndësishme për suksesin e tyre. Në kohën kur kemi probleme serioze të sigurisë, të varfërisë e të degradimit në arsim, në shkencë e në kulturë, ndërsa fenë e kanë marrë në dorë ta interpretojnë njerëz që lënë shumë për të dëshiruar në aspekt të njohjes së shkencave sociale, të njohjes së sociologjisë urbane, të njohjes së letërsisë shqipe, folklorit shqiptar e historisë shqiptare, të bëhet temë më e rëndësishme shamija, kjo flet shumë për neve, por jo edhe aq mirë.

5. Ata që ua ndalojnë vajzave të reja shkollimin për shkak se ato e kanë mbuluar kokën me shami, kjo në emër të njëfarë emancipimi, kanë bërë krim të madh, sepse “vrasin nga dashuria” – diskriminojnë në emër të emancipimit.

6. Për ata që “argumentojnë” se shamia u imponohet vashave të reja, më duhet të pyes se çfarë nuk është imponim në këtë kohë të garës së ideve në botë?! Prandaj, duke besuar se shamija nuk është shtrëngim familjar, më duhet të them se as nuk ia vlen të flitet në temën “imponimi”, ngase është e drejtë e çdo familjeje ta organizojë jetën sociale të familjes së vet siç dëshiron dhe beson, ndërsa secila vajzë kur të piqet, e vendos vetë kah t’ia mbajë. Nuk është as Islami, e aq më pak liberalizmi, mjet për t’ua diktuar dhe imponuar të tjerëve qëndrimet tona “përparimtare”. Nëse Zoti e ka ndaluar imponimin e fesë, kush ka të drejtë të imponojë ide(ologji) të tjera?! Ajo është diktaturë.

7. Jam kundër arabizimit të Islamit tonë, kjo për arsye politike e kulturore, por kjo nuk bëhet duke e ndaluar shaminë në shkolla. Beteja me dukuri të tilla nuk bëhet duke e luftuar me ligje, por duke hartuar projekte edukative, duke e fuqizuar Bashkësinë Islame dhe duke e vënë atë në shërbim të komunitetit dhe interesave tona kombëtare, por edhe duke e futur lëndën e mësim-besimit në shkolla, kjo konform interesave tona politike, kulturore e etike si komb, për të mos lejuar që dikush të bëjë eksperimente sociale me brezin tonë të ri.

8. Jemi në shekullin e teknologjisë, kur sfidat e shekullit kanë shkuar përtej imagjinatës sonë (fjala bie, a u ndalohet vajzave me shami mësimi edhe nëse është online si në kohën e pandemisë?), andaj nuk e kemi luksin akoma të merremi me tema triviale, që nuk i bëjnë dobi askujt, ndërsa armiqtë tanë mund t’i përdorin për të futur thika të përçarjes mes nesh.

Neve na duhet unitet dhe konsolidim më i madh kombëtar për të bërë një komb të avancuar, të zhvilluar dhe të ndërgjegjshëm për rreziqet që i kanosen e sfidat që i ka përpara. Shenja.tv