Temperatura në Antarktidë ka arritur një rekord të ri

Organizata Botërore e Metereologjisë (WMO) tha se një bazë kërkimore argjentinase, e vendosur në majën veriore të Antarktidës, ka raportuar për një temperaturë – që nëse konfirmohet – mund të jetë një rekord për kontinentin e akullt.

Marketing

Zëdhënësi i organizatës, Clare Nullis, tha se baza argjentinase regjistroi një temperaturë prej 18.3 gradë Celsius.

Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në këtë pjesë të botës ishte 17.5 gradë Celsius.

Megjithatë, një komitet i posaçëm, i cili merret me arkivat e motit dhe klimës pritet të verifikojë, nëse të dhënat e reja kanë arritur një rekord të ri.

“Gjithçka që kemi parë deri më tani tregon një rekord të mundshëm legjitim por sigurisht që do të fillojmë një vlerësim zyrtar të procesverbalit, pasi të kemi të dhëna të plota”, tha raportuesi për rekordet ekstreme të motit në agjencinë e OKB-së, Randal Cerveny.

WMO thotë se Gadishulli i Antarktidës, në majën veriperëndimore të kontinentit, pranë Amerikës së Jugut, është ndër rajonet ku është shënuar ngrohja më e shpejtë në Tokë – me gati 3 gradë celcius, gjatë gjysmëshekullit të fundit.

Gjatë kësaj periudhe 50-vjeçare, janë tërhequr rreth 87 për qind e akullnajave përgjatë bregdetit perëndimor të gadishullit.

Gjatë 12 viteve të fundit ka ndodhur një tërheqje e përshpejtuar, thotë WMO.