Nga niveli i verdhë në tërë territorin e shtetit, dje, sot në disa pjesë është aktivizuar niveli më i lartë, i portokalltë ndaj rrezikut nga temperaturat e larta dhe rrezatimi ultra vjollcë. Niveli paralajmërues i portokalltë është aktivizuar për rajonin e Shkupit, Luginës së Vardarit dhe pjesëve lindore të vendit.
DPHM kumtoi se nën ndikim të një mase shumë të nxehtë ajrore, deri nga mesi i javës së ardhshme moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë. ndërsa vetëm të premten do të jetë rritje të konsiderueshme të vranësirave.
Temperatura minimale sot do të jetë mes 11 dhe 20 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 33 deri 39 gradë, ndërkaq UV indeksi 9.
Sipas parashikimit të motit, pasdite do të ketë vranësira mesatare dhe do të fryjë erë e dobët nga drejtimi jugor.
Kompetentët bëjnë thirrje, për shkak të temperaturave të larta, të respektohen rekomandimet për mbrojtje, jo vetëm për mosekspozim të drejtpërdrejtë në diell, por edhe për konsumim të kujdesshëm të ushqimit, sjellje e rregullt gjatë lëvizjes në natyrë, si dhe trajtim i drejtë i kafshëve shtëpiake dhe atyre të fermave.
“Qytetarët të evitojnë qëndrim në ambiente të hapura gjatë periudhës prej orës 11 deri në orën 17, të mbajnë veshmbathje me ngjyra të çelëta dhe syze mbrojtëse e kapelë, të konsumojnë ushqim të lehtë dhe lëngje, të kenë kujdes gjatë përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit të evitojnë prodhime të papërpunuara termike, të konsumojnë me kujdes akullore dhe kremëra të ndryshme, të marrin sasi më të madhe të lëngjeve, të evitojnë pijet alkoolike, ndërsa para së të hyjnë në automjet, një periudhë të caktuar ta ajrosin”, theksojnë kompetentët.
Gjatë ditëve të nxehta rekomandohet qytetarët të mbeten në hapësira të mbyllura, para së gjithash të kondicionuara, ndërsa gjatë qëndrimit të domosdoshëm në ambiente të hapura, të gjejnë mundësi për pushime të shpeshta nën hije. Të sëmurët kronikë duhet rregullisht ta marrin terapinë e përshkruar.