Temperaturat e larta, rritet numri thirrjeve në Ndihmën e Shpejtë

Moti i nxehtë me temperatura të larta e ka dyfishuar numrin e thirrjeve në ndihmën e shpejtë.

Marketing

10 qytetarë sot kanë rënë në gjendje kolapsi si pasojë e temperaturave të larta dhe janë dërguar në spital. Ekipet e ndihmës së shpejtë kanë intervenuar edhe tek qytetarët me tension të lartë të gjakut dhe tek ata me probleme të zemrës.

Rekomandohet që mos të dilet në këtë vapë, punëtorët e ndërtimtarisë të mos punojnë kur është më nxehtë, sepse mund t’u shkaktojë probleme të ndryshme shëndetësore, ndërsa ata që punojnë me makina kanë rrezik për lëndime të rënda.

“Është më rrezik për personat me sëmundje kronike, por edhe për punëtorët që nuk do të thotë a janë të sëmurë apo jo, por në këto kushte duhet pasur shumë kujdes, sepse mund të vijë deri tek problemet e ndryshme shëndetësore, si sulme në zemër apo në kokë”,- u tha nga Ndihma e Shpejtë.

Qytetarët thonë se me vështirësi marrin frymë në këtë vapë të madhe, por duhet të dalin t’i kryejnë obligimet e tyre.

“Nuk dalim, por e kemi patjetër, edhe pse është nxehtë, tash isha në mjek”,- u shpreh një qytetar.

“Kur dal futem ndër hije dhe mundohem të mbaroj punë shpejt”,- theksoi një qytetar.

“Ndjej lodhje në këtë vapë”,- theksoi një qytetare.

Sinoptikanët thonë se temperaturat kanë arritur në 40 gradë celsius, vendi është përfshirë në fazën e portokalltë dhe vala e të nxehtit më shumë do të ndjehet gjatë fillimit të javës së ardhshme.

“Është shumë nxehtë dhe periudhën e ardhshme deri të mërkurën priten temperaturat maksimale të arrijnë deri në 41 gradë celsius. Me këto temperatura do të kemi alarm të motit për temperatura të larta, në shumë pjesë të vendit me fazën e portokalltë dhe në disa pjesë me fazën e verdhë”,- u tha nga Enti Hidrometeorologjik.

Për shkak të motit të nxehtë, mjekët apelojnë që qytetarët të mos dalin pa nevojë prej orës 10 deri në orën 17, të vishen me rroba adekuate, të përdorin sa më shumë lëngje, veçanërisht ujë dhe të përdorin ushqim pa yndyrna.